Histori e veçantë dashurie, kaluan 71 vite të martuar dhe vdiqën në të njëjtën ditë

14 Shkurt, 2022 - 11:49 am

Bashkëshortët Herbert dhe Marilyn Frances DeLaigle, të cilët së bashku i kaluan 71 vjet të martuar, vdiqën në të njëjtën ditë, në një hapësirë kohore prej 12 orësh.

Herbert dhe Marilyn u martuan gjatë të dyzetave dhe e kaluan shumicën e jetës së tyre me gjashtë fëmijët e tyre në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

Siç tha familja e tyre, Herberti 94-vjeçar vdiq i pari rreth dy orë pas mesnate, ndërsa bashkëshortja e tij, 88-vjeçarja Marilyn vdiq 12 orë më vonë.

Image

Historia e tyre e dashurisë filloi në një kafene në Waynesboro të Virginias. Marilyn atëherë ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere, ndërsa Herbert ishte 22-vjeçar dhe nuk mund t’i largonte sytë prej saj.

“E shikoja vazhdimisht se si hynte dhe dilte prej kafenesë. Nuk i largoja dot sytë prej saj. M’u desh shumë kohë që ta mblidhja guximin dhe ta pyesja nëse donte të dilte ndonjëherë me mua”, tha Herbert vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të tyre të 70-të të martesës, shkruan KOHA Ditore.

Herën e parë, siç thanë ata, shkuan në kinema, ndërsa një vit më vonë u martuan.

Image

“Ai ishte gjithmonë i qetë, i durueshëm dhe plot me dashuri”, tha Marlyn.

Çifti ka jetuar gjashtë vjet në Gjermani derisa Herbert shërbente në ushtri atje, dhe pastaj shpesh i ndryshuan adresat gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar, thuhet në njoftimin e vdekjes.

Marilyn ishte udhëheqëse e skautëve, pronare e një lulishteje dhe adhuruese e madhe e kafshëve. Fëmijët e saj e përshkruajnë atë si një nënë jashtëzakonisht të përkushtuar, e cila e dha maksimumin kur babai i tyre mungonte madje edhe për disa muaj.

Nga ana tjetër, Herbert i adhuronte peshkimin, zdrukthëtarinë dhe punën në fermë.

Ata lanë pas vetes gjashtë fëmijë, 16 nipër e mbesa, 25 stërnipër e stërmbesa dhe tre stër-stërnipër e stër-stërmbesa. / KultPlus.com

Të ngjajshme