25 Gusht, 2023 - 4:00 pm
Aida Buturoviq ishte një nga studentet më të mira në degën e Letërsisë në Universitetin e Sarajevës. Fliste pesë gjuhë. E donte kulturën dhe librat. Librat, si ata që ndodheshin në Bibliotekën e Sarajevës ku ishin tre milionë libra si dhe qindra dokumente origjinale nga koha e Perandorisë Osmane dhe monarkisë austro-hungareze.
Ato ishin dëshmi e historisë qindravjeçare të Bosnjës dhe të identitetit të një shoqërie multikulturore. Serbët e dinin mirë këtë, ndaj në prill të vitit 1992 filluan të rrethonin qytetin. Disa muaj më vonë, në gusht të të njëjtit vit, ushtria serbe nën komandën e Radovan Karaxhiqit dhe gjeneralit Ratko Mlladiq, kishte nën shënjestër ndërtesën e bibliotekës të njohur si “Vijeçnica”.
Aida ishte atje, sepse punonte aty, sepse i donte librat, sepse nuk mendonte se ishte e drejtë që të prekeshin librat.
Sot 31 vite më pare, kur bombat filluan të shkatërronin bibliotekën, ajo nuk mendoi për asnjë çast që të largohej por vrapoi për të shpëtuar librat – historinë e Bosnjës.
Ndërkohë që të gjithë po largoheshin e zjarret po bëheshin gjithnjë e më të fuqishme, Aida arriti të merrte disa prej tyre, pastaj akoma disa të tjerë, duke u munduar që të shpëtonte sa më shumë që të ishte e mundur. Në fund erdhi shpërthimi përfundimtar që i morri jetën dhe shkatërroi tre milionë libra.
“Biblioteka Kombëtare në Sarajevë u dogj tre ditë me radhë, ditë në të cilat mbi Sarajevë fluturonin zogj të zinj”, shkruante atëherë shkrimtari Valerijan Zujo: “Janë fletët e djegura nga libri i madh për ngritjen dhe rënien e Bosnjës dhe Sarajevës.” / KultPlus.com