8 Nëntor, 2020 - 7:21 pm
Të jetosh me fytyrën dhe trupin të shpërfytyruar nga lebra, duhet të jetë një sfidë e madhe. Të bëhesh sovran i një mbretërie të trazuar dhe më vonë të zhvillosh një betejë ballë për ballë me Salahadinin dhe ta fitosh, është një arritje titanike, e pamundur për mendjet tona.
Kjo është historia e Baldovino IV të Jeruzalemit, i njohur ndryshe si “mbreti lebroz”, për shkak të sëmundjes që qysh në moshë të re filloi të gërryente trupin e tij, aq sa e detyroi ta mbulonte fytyrën e shkatërruar me një maskë hekuri. Jetoi gjithmonë i rrethuar nga përbuzja, paragjykimi, keqardhja. Ishin vitet midis 1100 dhe 1200, dhe nuk ishte zbuluar asnjë lloj kure që mund të luftonte sëmundjen.
Historia e tij lindi dhe u zhvillua në pak vite, pasi vdiq kur ishte vetëm 24 vjec. Në vitin 1174, kur ishte vetëm 13 vjeç, bëhet mbret me vendim të gjykatës së Jeruzalemit. Të gjithë ishin dakort që te behej mbret sepse, duke qenë aq i ri dhe i sëmurë, ishte shumë e lehtë ta kontrolloje dhe ta manovroje. Por nga ana tjetër, Baldovino vërtetoi se të gjithë gaboheshin.
Mbreti i ri, kundër gjithçkaje dhe të gjithëve, vendos të përballet me ushtrinë e Salahadinit. Ishte vetem 16 vjeç dhe jemi në vitin 1177. Në vend që të mbrohej duke ndejtur në qytetin e shenjtë, Baldovino bën një veprim të pa imagjinuar: del jashtë mureve të qytetit dhe e sfidon armikun ballë për ballë. Me vetëm 500 kalorës dhe disa qindra këmbësor, të cilëve u shtohen edhe 80 kalorës templarë në momentin e fundit, ai përballet me më shumë se 2000 ushtarë të sulltanit të Sirisë dhe Egjiptit.
Të dy ushtritë përballen në Montgisard më 25 nëntor, pranë një kështjelle afër qytetit të Ramia. Ushtarët e mbretit lebroz, vendosin që me çdo kusht të mos i dorëzohen armikut dhe me urdhrin e mbretit, hidhen të dëshpëruar në një sulm frontal. Ky sulm e ç’orientoi Salahadinin qe përfundoi duke u tërhequr bashkë me ushtrinë. Trupat e ti u shpërndanë dhe disa nga ushtarët më të mirë u martirizuan. Kjo humbje u vlerësua nga Salahadini, në një farë mënyre, si një mësim i vlefshëm për të. Vetëm pak vite më pas, Salahudini do të hynte triumfalisht në Jeruzalem./ KultPlus.com