30 Nëntor, 2019 - 5:51 pm
Durrësi një histori ringritjesh
Si për të kujtuar shkakun e vdekjes një shkundje tërmeti nxjerr nga lokalet pranë një grup njerëzish. Përsëri tërmet, 4.9 ballë siç thotë një nga të rinjtë që sheh të dhënat në kohë reale në telefon.
Durrësi duket sikur po përjeton ditët më të rënda të historisë së tij. Por nuk është e para herë; qyteti 3-mijëvjeçar është rrënuar disa herë nga tërmetet shkatërrimtare dhe përsëri është ringritur.
Jo shumë larg nga vendi ku bëhen homazhet, pjesët e murit murit bizantin që u shembën mëngjesin e së martës e kanë parë qytetin të gjunjëzohet para pushtimesh dramatike dhe lëkundjesh tragjike edhe në vitin 1273, kur për më shumë se 50 vjet qyteti mbeti krejtësisht bosh.
“Katër nga viktimat e atij tërmeti vdjekjeprurës u gjetën vetëm para 10 vjetësh gjatë ekspeditës italo-shqiptare pranë galerive të amfiteatrit antik” – thotë arkeologu Afrim Hoti. Ai shton se skeletet e dy të rriturve dhe dy fëmijëve ndodheshin pranë njeri tjetrit, teksa duket se tentonin të largoheshin nga banesa e tyre për t’i shpëtuar fatkeqësisë.
Vetë muret rrethuese, një pjesë e të cilëve u shembën para 50 orësh janë ndërtuar pas një tjetër tërmeti, edhe më të hershëm, atij të vitit 345, një nga fatkeqsitë e shumta që ka goditur qytetin antik në shekujt e kaluar.
Por qyteti ka mbijetuar përsëri. As pas lëkundjeve të fundit periferia e Durrësit e cila është prekur më shumë nuk është dorëzuar. Nga qendra e qytetit ka qytetarë që vijnë orë e minutë me biçikleta dhe përpiqen të jenë të vlefshëm e të ndihmojnë. /KultPlus.com