Historia e monumentit që përcjellë mesazhe të ndryshme çdo vit

17 Shkurt, 2021 - 4:37 pm

Janë bërë 13 vite qëkur Fisnik Ismaili projektoi një skulpturë për të festuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2018.

Ishte fjala “NewBorn” e ngjyrosur me të verdhë, në të cilën në momentin që u zbulua mbi 150 mijë njerëz vendosën nënshkrimin e tyre duke lënë gjurmët e qytetarëve tek monumenti, shkruan Demokracia, përcjellë KultPlus.

Ideja e monumentit NewBorn ishte që të ngjyrosej çdo vit ndryshe sepse kjo do ta krijonte një vepër, e cila do të ishte e njëjtë në formë, por e ndryshme në pamje për çdo vit. Por kjo nuk u realizua për arsye se qeveria nuk e mbështeti financiarisht atë.

Ndryshimi i kësaj skulpture erdhi në pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me iniciativën e vetë ideatorit i cili ftoi qytetarët që të kontribonin në ndryshimin e NewBorn-it, duke vazhduar kështu çdo vit.

Çdo vit përmes kësaj skulpture përcillen mesazhe të ndryshme që lidhen me historinë e Kosovës.

Kështu dukej NewBorn në vitin 2013, i pikturuar me flamujtë e të gjitha vendeve që kishin njohur Kosovën si vend të pavarur, si shenjë falenderimi për njohjen e tyre.

Duke vazhduar traditën e ngjyrosjes së monumentit për çdo 17 shkurt, në vitin 2014, NewBorn mori pamjen e uniformave ushtarake, për të nderuar flijimin e popullit gjatë luftës së vitit 1999, sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së NATO-s për çlirimin e vendit.

Çdo shkronjë pati ngjyrat e njërës prej ushtrive kryesore botërore të asaj periudhe, dhe të uniformave me të cilat është identifikuar UÇK.

NewBorn i vitit 2015 kishte temën “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, duke lejuar secilin qytetar të pikturonte çfarë kishte dëshirë. Vetëm shkronja “E” ishte e tëra e zezë duke theksuar ikjen masive të qytetarëve të Kosovës, për në vendet e Europës gjatë atij viti.

Me pamjen e qiellit të rrethuar me tela dhe gjemba NewBorn vitit 2016 tregonte situatën në të cilën gjendej Kosova duke mos pasur të drejtën për të lëvizur lirshëm pa viza. Situatë në të cilën jemi edhe sot.

Në një botë ku çdo ditë po krijohen mure, dhe lëvizja e lirë çdo ditë e më shumë po kushtëzohet nga mendjet e ngushta, e në Kosovën e brishtë, ku një mur në Mitrovicë vazhdimisht po e cenonte sovranitetin e shtetit, NewBorn i vitit 2017 dëshironte të rrëzonte këto mure.

Në shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2018 shkronja B u zëvendësua me numrin një.

Pasi që monumenti ishte ideuar për të përcjellë mesazhe të ndryshme, përmes dizajnit të vitit 2019 percillej mesazhi “Ruaje Tënden”. Një mesazh për të ruajtur mjedisin që na rrethon.

I lyer i tëri me të zezë përpos shkronjës W, me mbishkrime dhe lule e flutura shumëngjyrëshe, NewBorn i vitit 2020 u kushtohej të gjitha viktimave të abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.

“E prumë paqen bashkë” tema për vitin 2021. Me vendosjen e pëllmbave të dorës me ngjyra të uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mesazhi për këtë vit është të i tregojmë botës se paqen e prumë gjithë ne me shumë sakrificë dhe se lufta ndryshoi gjithçka që ne të jetojmë të lirë.

Pas zbulimit më 17 shkurt 2008, “NewBorn” u bë shpejt një simbol i Kosovës. Ai u shfaq në faqen e parë të The New York Times një ditë më pas, në vitin 2012, Rita Ora, ylli i popit kosovaro-britanik, vallëzoi në të në një video muzikore dhe fitoi shumë çmime në fushën e dizajnit. /Demokracia.com/KultPlus.com

Të ngjajshme