5 Janar, 2021 - 8:56 pm
Ylber Sefa, është një kampion i çiklizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Aktualisht, 29-vjeçari jeton në Belgjikë së bashku me familjen e tij dhe është pjesë e një prej skuadrave më të mira belge.
Ai ka rrëfyer objektivin e tij të radhës që janë Lojërat Olimpike 2021, të cilat janë shtyrë për vitin e ardhshëm. “Momentalisht synoj të jem pjesë e Lojërave Olimpike 2021 sepse ishin për këtë vit po për shkak të COVID janë shtyrë për vitin e ardhshëm. Unë kam pikë të mjaftueshme për të marrë pjesë në olimpiadë”, ka rrëfyer Sefa.
Kampioni shqiptar, tregon pasionin e tij për çiklizmin, titujt e fituar dhe emigrimin në Belgjikë. Ai e ka nisur këtë sport që në moshën 16-vjeçare dhe tashmë bëhen 14 vite. Ylberi është shpallur katër herë kampion i Shqipërisë në çiklizëm dhe synon të pestin për të vendosur kështu një rekord të ri. Por pse emigroi drejt Belgjikës?
“Belgjika quhet dhe djepi i çiklizmit, sepse organizon shumë gara dhe ture. Nuk kishte vend më të mirë për mua ku të emigroja dhe të zhvillohesha akoma më shumë nga ana profesionale. Në Belgjikë u zhvendosa për konkurrencë dhe nivel më të lartë”,rrëfen Ylber Sefa.
Ylberi i ka sjellë fitore ekipit aktual dhe në bazë të rezultateve arriti të bindë për një kontratë presidentin e ekipit Tarteletto–Isorex./diapsorashqiptare/ KultPlus.com