5 Dhjetor, 2020 - 10:59 am
Doktori amerikan Joseph Varon ngushëllonte një pacient të moshuar, pa e ditur që fotografia e tij do të bëhej e njohur, shkruan KultPlus.
Fotografia ishte shkrepur në Ditën e Falenderimeve, teksa Varon po shfaqte një afërsi me pacientin e tij në spitalin United Memorial Medica Center në Hjuston.
Në një intervistë të dhënë për CNN, doktori tregoi historinë e këtij momenti që është kapur nga aparati fotografik.
“Ai është në të 70-tat. Po qante si një fëmijë. Unë e pyeta se çfarë kishte. Ai më tregoi se dëshironte të kishte pranë familjen. Po mendoja për këtë burrë dhe për qindrat herët që kjo ka ndodhur me pacientët e tjerë”, kishte treguar Varon.
Tutje ai përveç kësaj historie ka treguar se si po përballen me pacientët, duke tentuar çdo herë të jenë pranë tyre.
“Hyj në dhomat e tyre; ulem në shtratin e tyre dhe bisedoj me ta, sepse ata me të vërtetë kanë nevojë për dikë që t’u shtrijë një dorë. Dhe stafi im është shumë i mirë e bën shumë mirë këtë, por ne kemi kaq shumë pacientë sa që nuk mund t’i mbajmë dorën çdo pacienti. Mundohemi të jemi njerëzor. Disa prej tyre qajnë pa pushim. Kemi pasur raste kur kanë tentuar të hidhen nga dritarja, është e tmerrshme për ne”, ka shtuar doktori nga Hjuston.
Kujtojmë që këtë fotografi që tanimë ka pushtuar botën sociale, piktori Agim Sulaj e ka sjellur me magjinë e brushave, e që shumë shpejt artdashësit nga Tirana do të kenë rastin ta shohin për së afërmi në ekspozitën e tij personale. / KultPlus.com