25 Shtator, 2021 - 9:45 am
Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.
Pubikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në qytetin e Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndëruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë.
Pjesa e gjashte
Shpresuam dhe mbijetuam
Ia kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.
Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.
Vijon nga numri i kaluar
Qetësi e padurueshme dhe nganjëherë britma, që ta bënin shpirtin akull, zhurmë hapash dhe sërish qetësi. Gardianët i bënin punët pa zhurmë, ecnin, afroheshin te dera për të parë nga vrima se ç’bëhej në qelitë, aq lehtë, sa nga brenda nuk e kuptoje dot se dikush të shihte nga vrima e veshur me rrjetë. Befas, në mes të kësaj qetësie, dëgjoheshin gërvima të frikshme, rropamë që të bënin të dridheshe, të kërceje përpjetë, teksa zemra niste të rrihte më shpesh. Dera hapej kanat dhe një zë i vrazhdë të thoshte: “Ej, ti, çohu!” Ecën nëpër korridor, në gjysmë terr, muret dhe dyert janë të lyera me bojë kafe, shumë dyer, të gjitha pranë e pranë, e tek të gjitha varur dryna masivë. Gjithçka ishte menduar mirë, çdo vogëlsirë ishte sajuar e tillë që të të thyejë, të të shtypë, të të frikësojë. Njeriu me çdo gjë mund të mësohet, por unë kurrë nuk u mësova dot me zhurmën e shulave dhe drynit, me gërvimat e derës, kur hapej e mbyllej, me kërcitjet e kapakëve të vrimave në dyert e qelive. Gjatë paraburgimit, s’kishte takime, ishte terr dhe dezinformim i plotë, as libra, as gazeta, as letër, as laps. Që të mos çmendesha, të merresha me diçka, sajoja gjithfarë: nxirrja nga dysheku i pistë një kallam kashte dhe “shkruaja” me të në dysheme, kombinoja fjalë çfarëdo, njëfarë fjalëkryqi.
Kur hapej dera, mjaftonte një lëvizje e shpejtë për të kthyer gjithçka në një dorë kashtë. Një ditë më morën më shpejt për te hetuesi dhe nuk arrita ta fshihja fjalëkryqin tim. Kur më kthyen në qeli, mbikëqyrësja Vasilika, (ajo shquhej për vigjilencë dhe egërsi të veçantë), lexoi fjalët në dysheme, kujtoi se kisha një kalem të fshehur dhe hyri me vërtik në qeli, por kashta u shpërnda. Shpëtova pa britma dhe pa të shara. Dera u mbyll dhe unë sërish mbeta vetëm. Për t’u marrë me diçka, sa për të shtyrë orët pambarim, më shumë se çdo gjë tjetër më ndihmonin vjershat. Unë përpiqesha të rikujtoja vargje që dikur i kisha ditur përmendsh dhe i kisha dashur shumë. Më shpesh më kujtohej Pushkini, Lermontovi, Esenini dhe Simonovi. I recitoja, në fillim me zë të ulët, pastaj me zë të plotë. Hapej dritareza e derës dhe oshtinte britma e inatosur e gardianes: “Mjaft”! Unë nisja t’i përsërisja vjershat me zë të ulët. Kujtoja shumë syresh dhe i përsëritja me vete, sërish e sërish. Kjo më ndihmonte të shpërngulesha në botë tjetër, shumë të largët dhe herë-herë më bëhej se nuk do të kthehesha kurrë tek ajo. Kur u takuam më vonë në kamp, mësova se vjershat e Pushkinit kishin shpëtuar edhe të tjera shoqe të mia, i kishin ndihmuar të mbijetonin, të mos luanin mendsh. Ditët e para, kur fqinja ime trokiste në mur, desha edhe unë ta mësoja këtë mënyrë komunikimi. Fqinja më tha se trokiste sipas alfabetit. Një e trokitur – A, dy – B etj. Mirëpo unë, megjithëse e dija alfabetin e gjuhës shqipe, nuk arrija t’i “lexoja” trokitjet, sepse e përsëritja shumë ngadalë alfabetin. Atëherë vendosa të mësoja përmendësh numrin e çdo shkronje dhe të numëroja trokitjet. Dhe ashtu bëra. Nuk shkoi keq!
Pasi u lirova nga burgu, lexova librin e Fatos Lubonjës: “Rishikimi” dhe mësova që burrat përdornin për të komunikuar një mënyrë më efikase, por ne, gratë, nuk e dinim atë ‘ABC’ prandaj trokisnim me radhë çdo shkronjë. Herë llomotitnim diçka, herë mësonim diçka nga gratë e qelive fqinje… kalonim kohën! Të trokisje s’ishte fort e lehtë, madje me rrezik; rojet dhe gardianet vazhdimisht kontrollonin, afroheshin tinës, përgjonin dhe kapnin shkelësit. Një ditë rojet ja behën në qelinë time dhe vetëm sepse i binda me pamjen e padjallëzuar dhe u thashë se nuk e dija alfabetin e gjuhës shqipe, shpëtova nga biruca. Zakonisht trokitnim mbrëmjeve, kur shefat iknin në shtëpi, kurse rojet mbaronin punë dhe mblidheshin në fund të korridorit, për të llomotitur mes tyre. Më kujtohen dy raste të veçanta gjatë “ndërlidhjes”. Pranë qelisë sime, nga e djathta, rrinte dikush që merrte ushqim ndryshe nga i yni. Në vend të lëtyrës së zezë, që na jepnin ne të tjerëve, atje çonin pure, qofte. Trokita dhe pyeta për emrin. “Mina”, – m’u përgjigj ajo. Më vonë, kur ishim në kamp, mësova se ishin dy motra, Mina dhe Nadira, dy vajza të reja fshatare, të akuzuara sipas një çështjeje të sajuar… për punë lopësh. Për këtë do të shkruaj më poshtë me hollësi. Gjatë hetimit, Mina u sëmur keq. Procesi ishte politik. Jeta e Minës, duhej ruajtur derisa të zhvillohej gjyqi. Edhe fqinjët e mi nga e majta e kishin vënë re ushqimin e Minës dhe nisën të më pyesnin se kush rri në atë qeli. Unë nisa të trokas: “M-I-N-…” Atë çast dëgjova sinjalin; fqinja gërvishti murin, çka do të thoshte: “E kuptova, mund të mos vazhdosh”. Gjashtë muaj më pas u takova me fqinjën time në kamp dhe mësova që germat “min…” ajo i kishte marrë si të parat e fjalës “ministri”. Ishte koha, kur në burgje futën gati të gjithë elitën partiake dhe shtetërore, prandaj prania në mes të të burgosurave e një ministri nuk habiti njeri.
Rasti tjetër
Do të ketë qenë 1 tetori 1976. Më çuan te hetuesi, i cili po lexonte gazetën. Ia ngula sytë gazetës si e djegur për ujë. Prej 5 muajsh nuk dija se ç’bëhej në botë. Lexova: “Përshëndetje e udhëheqjes së PPSH-së për udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës”. Emri i Mao Ce Dunit nuk ishte. Ç’të ketë ndodhur? Nuk e pyeta hetuesin, sepse mund të merrja si përgjigje ndonjë fjalë të rëndë ose tallëse. Kur u ktheva në qeli, mendova të pyesja fqinjët; ata ishin “të freskët”, vetëm pak kohë më parë kishin ardhur. Kisha frikë të pyesja me tekst të hapur. Në Shqipëri isha mësuar me kohë të heshtja, të mos pyesja. Më në fund e sajova: Trokita për pyetjen: “Do të vijë Mao Ce Duni në Tiranë”? Mora përgjigje: “Ai ka vdekur”. “O Zot! – mendova. – Ndoshta me vdekjen e tij, diçka do të ndryshojë dhe ne do të na lirojnë”? Shpresa të kota, të pabazuara gjëkundi! Tani frika, mungesa e shpresës, vetmia bëri të vetën. Befas nisa të kem halucinacione dëgjimi. Më bëhej sikur dëgjoja zërin e Sashës që më thërriste: “Mama, mama”! Mendova e tmerruar që e kishin arrestuar, ai më thërret… dhe gati më merrej fryma. Kjo vazhdoi disa minuta dhe më kaloi, pastaj nisi sërish, gjithnjë e më shpesh. Qëllonte të arrija deri në gjendje të fikëti; rrija shtrirë gjatë, pa lëvizur, ose dridhesha, këlthitja. Në raste të tilla në qelinë time sillnin fqinjën, që njëfarë kohe të mos mbetesha vetëm. Pastaj fqinjën e nxirrnin dhe gjithçka niste nga e para.
Hetimi dhe gjyqi
Të gjitha marrjet në pyetje u shkrinë në një proces të gjatë dhe të frikshëm. Nuk i shkruaj dot të gjitha me radhë, ditë pas dite; për këtë duhet të kesh mbajtur ditar. Në qeli kjo ishte krejt e pamundur; qe e ndaluar të mbaje letër, kalem, gazeta, libra. Në kamp as të shkonte në mendje për të mbajtur shënime; atje thjesht duhej mbijetuar. Për herë të parë e takova hetuesin tim, kur më thirrën të firmosja urdhër-arrestin. Asgjë nuk mbaj mend, gjithçka ishte si në mjegull. Pastaj më morën për herë të parë në pyetje dhe më pas vazhdoi plotësimi i tej zgjatur, i rëndë i anketës. Kush janë prindërit? Ku ke studiuar? Kur mbarove? Ku ke punuar? A ke qenë e dënuar? E të tjera. Unë vetëm habitesha; ata më kishin ndjekur këmba-këmbës, dinin gjithçka për mua, deri në hollësirat më të vogla. Pyetja e parë që më drejtuan: “Tani më trego për miqtë dhe të njohurit tuaj”. E prita e qetë këtë pyetje. Përmenda 2-3 emra. Shoqet e mia, ishin njerëz të denjë. Midis tyre kishte mjeke, pedagoge, inxhiniere. Të gjitha punonin shkëlqyeshëm; i respektonin, kishin familje të mira, fëmijë. Isha e bindur, se duke u përmendur emrat, nuk u sillja ndonjë të keqe. Sa budallaçkë! As më vajti në mendje, se çdo fjalë imja përdorej kundër nesh. Hetuesit nuk i kënaqi përgjigjja ime. Ata m’i përmendnin vetë emrat e disa të njohurve të mi, madje edhe nga ato që kishin ikur me kohë në Bashkimin Sovjetik. Në pyetjet e tyre dalloja keqdashje, mllef; sikur t’u vinte inat që ata njerëz kishin ikur, u kishin shpëtuar nga duart. Në një nga ditët e para të burgosjes, dera e qelisë sime u hap me zhurmë. Unë brofa në këmbë. Në qeli hyri i shoqëruar nga gardiania, një burrë flokëzi. Ai më kundroi në sy. Fytyra i mori pamje zemërligë. “Ah, ja kush na qenka këtu! Hë, si je? Ke ndonjë ankesë”? – më pyeti, pa u prezantuar. Në kokë më kaluan njëra pas tjetrës pyetjet: “Ankesa? Për çfarë? Kujt t’i ankohem? Nuk e dinë këta, që unë s’kam bërë ndonjë faj, që gjithçka po ndodh është planifikuar me kohë”. Por heshta. Ai burri doli.
Disa ditë më pas më çuan për të më marrë në pyetje. Ai burri me flokë të zinj ishte aty. U prezantua: “Prokurori!” dhe vijoi: “Aha! Mori fund jeta jote e bukur! Kush do t’i veshë rrobat e tua të rralla? Burri yt nuk do të bredhë më jashtë shtetit!” “Burri im jashtë shtetit?! Ç’rroba të bukura?” “Ai pra, burri yt, Kostallari!” Dhe aq ligësi vërejta në fjalët e tij, sa m’u bë sikur në buzë i doli shkumë. Sikur unë dhe të gjitha shoqet e mia, ishin armike vetjake të tij. (Kurse Kostallari, ka qenë gjuhëtar, akademik, shkonte jashtë shtetit në konferenca dhe simpoziume shkencore. Ndoshta kjo ngjallte tek të tjerët zili dhe keqdashje). “Gaboheni, – i thashë. – Unë jam Taisa Pisha, gruaja e Gaqo Pishës”. Ai u hutua, por shumë shpejt e mblodhi veten. “A-a, burri yt është ai që i dridhen duart. E shikon sa faj të rëndë ke bërë. Po të mos ishe fajtore, ne nuk do të të arrestonim dhe të të shkëputnim nga burri i sëmurë”. Unë nuk fola. Mendoja me vete se këta njerëz kurrë nuk ndiejnë keqardhje për njeri, kurrë! Ai më drejtoi po ato pyetje, si dhe hetuesi. “M’i numëro me radhë të gjitha shoqet e tua”! “Ia thashë hetuesit”, – ia ktheva unë. “Përsërite”! I përsërita 2-3 emrat, që i përmenda hetuesit. Por kjo nuk e kënaqi prokurorin. Ai nisi të m’i numërojë vetë emrat e grave sovjetike. “Po këtë e njeh? Po këtë?” Po, i njihja gati të gjitha. Kishim pasur marrëdhënie të mira. Në zërin e prokurorit, tek përmendte emrat e shoqeve të mia, kishte aq urrejtje, aq mllef, sa më hyri frika në palcë. Prokurori e ngriti zërin, nisi të ulërinte: “Përse nuk bashkëpunon me hetimin? Nuk do të tregosh”?! “Ne s’kemi bërë kurrë biseda armiqësore, nuk kam ç’të tregoj”. “S’është e vërtetë! – bërtiti prokurori, – do t’jua nxjerrim të palarat… ju jeni armiq… jeni spiune!… Keni ndihmuar Bashkimin Sovjetik, i cili bën të pamundurën për të shembur pushtetin popullor në Shqipëri. Ju jeni antistaliniste, keni përkrahur Hrushovin, por organet tona ju demaskuan”! etj.
Të gjitha këto të hutonin, të krijonin bindjen se makina që na kishte mbërthyer, nuk do të na lëshonte pa na bluar mirë; se ata do të bënin ç’të donin me ne. Hetimin e zhvillonin rregullisht dy hetues. Me një hetues nuk lejohej. Organet nuk i besonin njeriu dhe hetuesit ruanin e përgjonin njëri-tjetrin. Pastaj, mendonin se gratë, mund të akuzonin hetuesin për ngacmim seksual. Raste të tilla ka pasur. Ama, kur njëri prej dy hetuesve donte të të godiste, tjetri dilte nga dhoma. Gjithçka pa dëshmitarë. Hetuesi im ishte Fejzo Aloçi. Burrë jo fort i zgjuar, me arsim të mesëm. Me të në çift punonte Fatos Trebeshina. Ky po, ishte i zoti, me “gramë”. Ata luanin secili rolin e vet: Fejzo i mirë dhe Fatosi i keq. Megjithëse Fatosi edhe pa këtë rol, ishte i lig, inatçor, i pabesë dhe hakmarrës. Nganjëherë edhe Fatosi luante rolin e “të mirit” dhe para se të niste nga pyetjet, më thoshte se në shtëpi të gjithë janë mirë. Atyre nuk u zije dot besë, por ja që na e kishte qejfi të besonim se thoshin të vërtetën dhe qetësoheshim disi. Hetuesit të tillë duhej të ishin: njerëz pa moral, të vrazhdë, zhurmëmëdhenj. Ata duhet të besojnë në rendin që i ka nxjerrë dhe që i paguan mirë. Kjo punë u siguronte atyre gjithfarë të mirash materiale, por dhe respekt përzier me frikë të njerëzve përreth. Për t’i ruajtur këto të mira, ata ishin gati për gjithçka. Ja, kështu shkonin marrjet në pyetje, herë buzëqeshje të ëmbla, herë britma. “Hë, si ndihesh? Të pëlqen supa këtu?” (“Supa” ishte lëtyrë e zezë, e tmerrshme, që mund ta haje vetëm pas një urie disaditëshe). “Çka! – i përgjigjesha. – Në kohën e luftës kemi provuar edhe më keq”. Paskëtaj supën nuk ma përmendën më. Që në marrjen e parë në pyetje dhe deri në fund të hetimit, më përsëritnin po të njëjtën: “Prano, prano! Pohimi me zemër të pastër të jep mundësinë për të pasur ndihmën tonë. Po nuk pranove, më keq do ta kesh”.
Nuk e dija se ç’duhej të pranoja, prandaj përsëritja se nuk isha fajtore. Dhe ndihesha e vockël, insekt, buburrec… jo, jo buburrec, por një hiç i shkëputur nga jeta, i shkelur me këmbë, i shtypur, i katandisur nën një makinë, e cila në asnjë mënyrë nuk e lëshon viktimën e saj, në asnjë mënyrë! “Sistemi ynë gjyqësor nuk gabon kurrë!” – përsëritnin hetuesit. Në njërën nga marrjet në pyetje, në fillim kërkova të lexoja Kodin Penal. Isha krejt e pafuqishme në atë gjendje, ku qeshë katandisur, nuk e kisha idenë e Kodit Penal, kurrë nuk isha interesuar për gjëra të tilla, sepse kurrë s’kisha kryer diçka të jashtëligjshme. Hetuesit u gajasën: “Pa shiko, ç’na dashka!” Kodin Penal nuk e pashë me sy as gjatë hetimit, as para gjyqit. E dija se në Shqipëri, që nga viti 1966, nuk kishte avokat për të pandehurin. Avokatët e Shqipërisë së pasluftës merrnin pjesë në proceset politike. Ata dilnin shpesh kundër pa ligjësisë, kundër arbitraritetit. Por shumica e tyre u përndoqën, kurse në vitin 1966 avokatura u likuidua. Megjithatë, unë vendosa dhe kërkova avokat: “Gjykatat tona janë më të drejtat në botë, ne s’kemi nevojë për avokatë! Pastaj, ti je aq e shkolluar, sa të dish të mbrosh veten”, – m’u përgjigj hetuesi. Aty thashë diçka për të drejtën romake (megjithëse, të them të drejtën, s’e kisha idenë ç’ishte ajo). Thashë se në gjyq duhet të jetë i pandehuri, mbrojtësi dhe gjykatësi. Por ma pritën, se e drejta romake i përket të shkuarës, atë të gjithë e kanë harruar.
Dhe sërish: “Trego! Trego! Prano! Pranimi me zemër të pastër do të të lehtësojë. Po të japim mundësinë të pendohesh dhe të marrësh dënim minimal!” Dhe sërish: “Çfarë bisedonit me shoqet? Çfarë lexonit? Ju jeni të gjitha antistaliniste”! “Antistaliniste? Stalini ka vdekur njëzet e ca vite të shkuara. Ç’lidhje mund të kem unë me të”? Hetuesi nisi të ulërinte: “Partia jonë është e vetmja parti marksiste-leniniste në botë, të gjitha të tjerat janë revizioniste. Ne jemi stalinistë besnikë. Kush është kundër Stalinit, është armiku ynë”! Dhe sërish: “Çfarë lexonit? Çfarë bisedonit…”? Unë u numërova disa libra, që i kisha lexuar pak kohë para se të më arrestonin. Midis tyre “Kujtime” të I. Erenburgut. Vëll. 1. Ai mbajti shënim. Kur më thirrën sërish, ai ulëriti: “Në atë libër Erenburgu shkruan kundër Stalinit”! Dhe sërish më kërkuan të pranoja fajin, më thanë se më kot ngulja këmbë në timen, se kishte aq shumë material kundër meje, saqë mund të më pushkatonin. Më treguan emrin tim në kopertinë. “O Zot! – mendova. – Sa kallëzime paska për mua”! Pastaj, gjatë hetimit, e kuptova se përveç kallëzimeve, në ato vëllime ishin edhe përkthimet e letrave që kisha dërguar apo marrë, ishin gjurmimet e të gjitha lëvizjeve që kisha bërë nëpër Shqipëri! “Sa punë, sa pará të hedhura në erë! Po unë do të gjej dot forca për t’i hedhur poshtë të gjitha këto shpifje”? Një ditë, gjatë marrjes në pyetje me britma dhe kanosje, papritur u hap dera dhe në dhomë futën një plak shtatlartë, të palarë, të parruar, të sfilitur. Ai mezi mbahej në këmbë. “E njeh këtë njeri?” – më pyetën. “Jo”, – u përgjigjja. “Po ti”? – iu drejtuan plakut. – “Po. Është Taisa Pisha, gruaja e Gaqo Pishës”. Vetëm kur ai nisi të fliste, e njoha. Ishte Mandi Koçi, burri i Roza Koçit.
Mandi, ishte nga i njëjti vend me Gaqon, prandaj njiheshim. Gjatë luftës ai kishte një dyqan në Korçë, ku fshiheshin ilegalët. Vetë Mandi, komunist, antifashist, kish marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas luftës e çuan për studime në Moskë, ku kreu një kurs dhe u bë operator kinemaje. Në Moskë u njoh me një vajzë, Rozën, me të cilën u martua. Roza mbaroi fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Moskës, kishte mësuar shqipen dhe e fliste shkëlqyeshëm. Mbas largimit të Rozës në Bashkimin Sovjetik, Mandin e përjashtuan nga partia dhe e hoqën nga puna. Mbas shumë përpjekjesh, arriti të fillojë punë si fotograf. Si të gjithë burrat e grave sovjetike, ai nuk kishte fare lidhje me familjen në Rusi. Në vitin 1974, dëgjuam se e kishin arrestuar. Papritur e kuptova përse më pyesnin vazhdimisht se për çfarë bisedoja me Rozën. Dhe, megjithëse Rozën s’e kisha parë që nga viti 1960, por dhe nuk e kisha shoqe të ngushtë, hetuesit kërkonin, ulërinin…! Hetuesi iu drejtua Mandit: “Më thuaj, për çfarë të akuzuan dhe sa vite je dënuar”? “25 vjet për spiunazh”, – u përgjigj fatkeqi. Si e mbajta veten dhe nuk bërtita, nuk e di. Këtë plak të gjorë, të sëmurë, që pa dyshim nuk kishte asnjë faj… 25 vjet! “Tani na thuaj, për çfarë bisedonte Taisa me Rozën”. Mandi nuk nxori dot fjalë nga goja, diçka belbëzoi, u ngatërrua. Hetuesi nisi të lexonte deponimet e tij. Mandi tundte kokën në formë miratimi. Kishte dëshmuar sikur në vitin 1959 (17 vjet të shkuara), unë i paskam thënë Rozës se: Bashkimi Sovjetik do të sulmojë Shqipërinë. Ky qe budallallëk me brirë dhe unë nuk e mbajta dot të qeshurën, në fillim me zë të ulët, pastaj, pak nga pak e qeshura kaloi në histeri. Unë qeshja dhe qaja dhe mezi e mblodha veten. “Ç’janë këto marrëzira, unë thuajse nuk komunikoja me Rozën, jo pastaj t’i thosha gjëra të tilla, kur vendet tona kishin marrëdhënie aq të mira. Nga ana tjetër, Mandi nuk dinte rusisht, edhe pak që kish ditur e kishte harruar me kohë. Në shtëpi flisnin shqip, ai asnjëherë nuk ka kuptuar gjë nga ato që flisnim ne, me njëra-tjetrën”, – i thashë hetuesit. Ata të dy zunë të ulërinin që fjalët e Mandit ishin të vërteta. Unë nuk e firmosa protokollin, por kjo nuk i pengoi që ky kallëzim të bëhej në gjyq. / Memorie.al / KultPlus.com