13 Mars, 2024 - 7:35 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Tha se kjo po bëhet për të arritur një qëllim shumë më madhor, duke aluduar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit.
Këtë vendim të Kurtit e ka komentuar për Front Online historiani Jusuf Buxhovi.
Ai ka thënë se Kurti vetëm është duke e respektuar ligjin pasi që ky vendim siç thotë Buxhovi është i Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë është dashur të zbatohej prej kohësh.
“Kryeministri paska fol si burrë shtetas, i cili e respekton shtetin dhe ligjin. Ky vendim është i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe si i tillë është dashtë të zbatohet prej kohësh. Në këtë rast unë duhet të them tash se duhet t’i kthehemi shkakut dhe jo pasojave. Kjo që ka ndodhë sot është një pasojë. Shkaku është te Pakoja e Ahtisarit”, është shprehur Buxhovi për Front Online.
Buxhovi, thotë se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastrit është anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës.
Sipas tij, për krejt këtë fajin e ka politika e papërgjegjshme e Kosovës që nga viti 2010.
“Ndërkohë që politika e papërgjegjshme e jona prej vitit 2010 e tutje ka vepruar çmos që objektet e kultit të cilat i kanë takuar trashëgimisë së Kosovës t’i jepen Serbisë. Në këtë aspekt unë mund të them se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastirit është një vendim anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës. Kjo, ka ndodhë për shkak se politikanët e papërgjegjshëm janë pajtuar që përmes makinacioneve të ndryshme kjo tokë t’i mbetet Manastirit të Deçanit”, ka shtuar Buxhovi.
Historiani Buxhovi, ka treguar se edhe ku buron historia e këtij problemi.
“Veprimet e tyre kanë qenë të tilla që kanë penguar që mbrojtja juridike e Komunës së Deçanit dhe dy firmave të cilat kanë menaxhuar pronën atje të mbrohen në Gjykatën Kushtetuese dhe këtu është problemi. Gjykata ka vepruar ashtu siç duhet vepruar sepse nuk e ka pas mbrojtjen juridike as nga Komuna e Deçanit dhe as nga bartësit dhe nuk i ka mbetur tjetër pos që të gjykojë si të drejtë ankesën e Kishës së Deçanit, prandaj këtu duhet shikuar çështjen”, ka deklaruar ai për Front Online.
Jusuf Buxhovi për Manastirin e Deçanit: Albin Kurti e trashëgoi problemin nga udhëheqja e kaluar
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë për Front Online se çështja e tokave për Manastirin e Deçanit i ka mbetur si problem kryeministrit Albin Kurti nga udhëheqja e kaluar.
Por, se thotë se ky nuk është problemi i vetëm.
Buxhovi përmend edhe çështjen e Asociacionit.
“Ky problem i ka mbet Albin Kurtit nga udhëheqja e kaluar. Unë kujtoj se ky nuk është problemi i vetëm që ka mbet e që ai është dashtë ta zgjidh me kohë, siç i ka mbet edhe Asociacioni që është dashtë menjëherë si ka ardhë në pushtet ta zbatojë sepse është kategori kushtetuese dhe jo të politizohet me to”, është shprehur Buxhovi për Front Online.
Sipas Buxhovit, vendimin për Manastirin e Deçanit e kanë marrë politikanët tjerë dhe kryeministri Kurti vetëm po e zbaton një vendim të Kushtetutës.
“Unë e di që tash shumë çka do t’i përplaset për shpine Albin Kurtit që e ka zbatu këtë vendim, por këtë vendim e kanë marrë politikanët tjerë. Albin Kurti nuk ka të bëjë asgjë me këtë vendim, por i ka ra detyra si burrështetas ta ekzekutoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili prej kohësh po e ngarkon Kosovën në raportet ndërkombëtare si shtet që nuk po i zbaton ligjet”, ka shtuar ai.
Historiani Buxhovi tregon mundësinë se si mund të merren vesh Kosova dhe Manastiri i Deçanit për tokat
Historiani Jusuf Buxhovi, ka përmendur edhe mundësinë se si Kosova mund të veproj në mënyrë që tokat mos të uzurpohen nga Manastiri i Deçanit.
“Në këtë drejtim unë mendoj këtu që duhet të gjendet vetëm një mundësi që shteti i Kosovës të bashkëbisedoj me Manastirin e Deçanit që ato prona në një farë mënyre të kthehen në shfrytëzim të përbashkët dhe jo të uzurpohen në bazë të kadastrave dhe kjo është ajo që mund të thuhet sot. Ne tash po i përjetojmë gabimet që kanë dalë me Pakon e Ahtisarit që do të ketë edhe shumë e shumë të ngjashme në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera Buxhovi pwr Front Online.
Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.
Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese./Front Online/KultPlus.com