18 Nëntor, 2022 - 6:46 pm
Pelin Batu, aktorja dhe historianja turke, autore e shumë librave, këto ditë pati postuar në rrjetet sociale një fotografi me bustin e Skënderbeut në Zvicër, shkruan KultPlus.
“Me stër-stërgjyshin tim, Skënderbeun, në Gjenevë”, ka shkruar ajo duke u bërë personaliteti i radhës turk që zbulon rrënjët shqiptare.
Aktorja, historiania dhe shkrimtarja me shtetësi turke dhe origjinë shqiptare, Pelin Batu sot në një intervistë për EuroNewsAlbania ka bërë të ditur se mamaja e saj ka lindur në Tiranë, ndërsa xhaxhai i saj pati jetuar në Ohër, përpara se të zhvendoseshin në Turqi, raporton KultPlus.
“Xhaxhai i nënës time bëri kërkime shume vite më parë dhe ai jetonte në Ohër. Mamaja e mamasë sime ka lindur në Tiranë dhe u transferua në Turqi pas luftës së dytë botërore. Familja ime bëri kërkime për pemën e familjes gjeti të dhëna që 14 breza më parë familja jonë ka qenë e lidhur me Skënderbeun. Kjo është se çfarë ka thënë xhaxhai i nënës time por nëna ime vdiq dy vite më parë dhe unë nuk i kam parë dokumentet me sytë e mi”, ka thënë ajo.
Sipas saj, edhe pse i thanë që janë të lidhur me Skënderbeun, ajo shprehet e bindur se nuk bëhet fjalë për një lidhje dhe ajo nuk e konsideron si një provë por edhe si metaforë.
“Kur gjyshërit e mi erdhën këtu në Turqi, ishin të lumtur dhe nuk kanë pasur probleme dhe gjithmonë flisnin shqip apo maqedonisht. Andaj, një pjesë e shpirtit tim i përket tokës së gjyshërve të mi. Nuk kam qenë në Shqipëri por kam lidhje shpirtërore me vendin. Unë gjithmonë kam planifikuar udhëtimin në Shqipëri me mamanë time por pasi vdiq, më duhet ta bëj e vetme këtë sepse e ndjej si detyrim”, ka thënë Batu.
Ajo po ashtu është shprehur se në familje, gjuha shqipe ka qenë si një gjuhë sekrete mes tyre.
“Së pari ishte kuzhina me të cilën u njoha. Muzika po ashtu. Por fatkeqësisht kur erdhën prindërit këtu në Turqi, ata menduan se fëmijët e tyre nuk duhet të ndiheshin si të huaj dhe kishin plane të tjera për mua dhe vëllain tim. Komunikim në shqip ishte diçka e brendshme si një gjuhë sekrete mes nesh. Një nga fjalët në shqip që di unë është fjala gjak por nuk kuptoj shqip, fatkeqësisht.”
Po ashtu, ajo konstatoi se Skëndërbeu nuk është tradhtar i popullit turk, por ka qenë mbrojtës i vendlindjes së tij.
“Unë jam aktore dhe historiane andaj e di historinë e Skënderbeut dhe historinë e Shqipërisë. Di se si ka qenë një tokë nderi dhe lufte që ndërthureshin së bashku. Prej statusit tim, njerëzit reaguan duke thënë se Skënderbeu vrau shumë otomanë. Unë reagova duke thënë se ajo për çka fola unë ka qenë rreth historisë së mëparshme. Vetë Skënderbeu ishte stërvitur në Turqi por politikat e kohës bënë që ai të mbronte vendlindjen e tij. Andaj ta quash tradhtar është qesharake dhe çmenduri në të njëjtën kohë”, përfundon Batu. / KultPlus.com