7 Nëntor, 2020 - 6:36 pm
Viti 1999. Koha e trazirave dhe bombardimeve në Kosovë. Kur krejt shqiptarët kishin kthyer sytë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të një veprimi për ndaljen e luftimeve, aty ishte Joe Bideni bashkë me një sërë senatorësh që po bënin përpjekje për një zgjidhje.
Duke qenë asokohe senator demokrat nga shteti i Delawares, Bideni ishte bërë njëri prej iniciuesve të një rezolute për kauzën e Kosovës. Me të do të kërkohej autorizimi i presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, për nisjen e një operacioni të menjëhershëm ajror kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.
I gjithë fokusi i tij te Kosova asokohe buronte nga angazhimi i mëhershëm në çështjet që ndërlidheshin me Ballkanin. Pas një vizite të 1993-s në Bosnje e Hercegovinë, Bideni ishte ai që qe ngritur kundër luftimeve atje, duke e akuzuar madje presidentin Cinton se po i anashkalonte vrasjet e myslimanëve të Bosnjës.
Me përvojën nga Bosnja, ai u bë një prej forcave shtytëse që u dha fund masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Kosova, nga regjimi i Milosheviqit. Ishte ky angazhimi i tij i parë i drejtpërdrejtë në Kosovë, por jo edhe i fundit.
Demokrati e vazhdoi përkrahjen për Kosovën edhe pas përfundimit të luftës. Kësaj radhe për zbardhjen e krimeve serbe. Nëpërmjet një fjalimi para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, të cilin dikur edhe e drejtoi, ai i numëroi krimet e rënda dhe përdhunimet sistematike nga forcat serbe.
Tani presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Biden më 2008 qe njeriu që mbështeti fuqishëm shpalljen e pavarësisë.
Menjëherë pas 17 shkurtit, ai vizitoi Kosovën për të përçuar mesazhin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshohet. Tha se si tërësi dhe e bashkuar, Kosova është “një nevojë e politikës amerikane”.
Për angazhimin e tij, në maj të 2009-s, liderët politikë të Kosovës e dekoruan Bidenin me medalje të artë të lirisë.
Pas çlirimit të Kosovës më 1999, ai merrte informata të dorës së parë për atë që po ndodhte këtu nga i biri i tij, Beau Biden, i cili u angazhua në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë në kuadër të misionit të OSBE-së.
Katërmbëdhjetë vjet pas kësaj, Beau vdiq nga kanceri, në moshën 46-vjeçare. Një vit pas, Joe Biden erdhi sërish në Kosovë ku mori pjesë në përurimin e një rruge në Ferizaj, që mbante emrin e të birit të tij të ndjerë.
Këtë rast e shfrytëzoi për të rikonfirmuar përkrahjen ndaj popullit të Kosovës dhe për t’ia tërhequr vërejtjen rreth një rreziku që po e kanoste. Tha se korrupsioni është “kanceri” që gërryen materien e çdo shoqërie. Biden foli edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosovën në agjendë, ky politikan i karrierës e riktheu sërish vetëm pak ditë më parë.
Nëpërmjet një dokumenti që shpalosi vizionin e fushatës së tij dhe të bashkëgarueses, Kamala Harris, ai potencoi se pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, në atë që do të çonte drejt njohjes reciproke dhe gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës./Koha/ KultPlus.com