15 Shkurt, 2022 - 12:00 pm
Jusuf Buxhovi
Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të Shqiptarëve në ish Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970. Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm. Ato që tha rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dërvish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, se vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijës dhe të shkencës, siç është universiteti, përcaktojnë edhe atë shoqërore dhe politike, u kthyen në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë lëvizjes kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti. Ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK-së si dhe dokumentve themelore të shkëputjues nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universietit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare duhet përkujtuar edhe rolin e akademik Idriz Ajetit si Kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës. Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributin e madhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtarë i Këshillit Qendrot të LDK-së, për dinamizimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetoritn të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur. /KultPlus.com