Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë, vend të dedikuar kujtese

28 Gusht, 2024 - 12:17 pm

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) njoftoi se, ka çelur procedurat e tenderimit dhe fton kompanitë e kualifikuara të aplikojnë për ndërtimin e Muzeut Hebre Shqiptar në Vlorë.

Sipas AADF-së, ky është një projekt bashkëkohor që do të vijë në harmoni me qendrën historike të qytetit.

Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.

Vlera e ndërtimit të këtij projekti arrin në 3,000,000 USD./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme