19 Dhjetor, 2022 - 11:44 am
Rreth 150 vjet pas përfundimit të skllavërisë në ish-kolonitë e saj, Holanda do të kërkojë zyrtarisht ndjesë për këtë padrejtësi.
Sot pasdite, kryeministri Mark Rutte ka planifikuar të mbajë një fjalim mbi skllavërinë në Arkivin Kombëtar në Hagë.
Përfaqësuesit e kabinetit gjithashtu do të flasin në ish-koloninë holandeze të Surinamit, në Amerikën e Jugut si dhe në gjashtë ishujt e Karaibeve që i përkasin ende mbretërisë holandeze.
Holanda dikur ishte fuqia e tretë koloniale më e madhe në botë dhe skllavëroi rreth 500 000 njerëz gjatë 200 viteve.
Ata u rrëmbyen kryesisht nga Afrika Perëndimore, u shitën dhe u detyruan të punonin në plantacionet në Surinam dhe Antile.
Mbretëria holandeze ishte një nga vendet e fundit në Evropë që shfuqizoi zyrtarisht skllavërinë më 1 korrik 1863.
Skllavërisë iu dha fund vetëm në 1873.
Kryesisht, pasardhësit e skllevërve dhe banorët e kolonive të asaj kohe kanë bërë thirrje që t’iu kërkohet falje.
Për vite me radhë, qeveria e kryeministrit Rutte kishte refuzuar ta bënte këtë.
Debati për pajtimin me të kaluarën, u rindez nga lëvizja “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një komision i emëruar nga qeveria, deklaroi në korrik se Holanda duhej të kërkonte falje dhe të punonte në mënyrë aktive për të luftuar pasojat, siç është racizmi.
Skllavëria ishte një krim kundër njerëzimit dhe shteti duhej të njihte padrejtësinë e tij historike. /atsh / KultPlus.com