5 Korrik, 2023 - 11:31 pm
Qeveria Holandeze do të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në klasë nga nxënësit, në mënyrë që këta të fundit të mos pengojnë mbarëvajtjen dhe zhvillimin e orës së mësimit.
Ndalimi vjen si rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, shkollave dhe organizatave joqeveritare. Nisma më e fundit që qeveria ka ndërmarrë po u prezantohet shkollave në të gjithë vendin dhe pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
“Edhe pse telefonat celularë janë pothuajse të ndërthurur me jetën tonë, ata nuk i përkasin klasës. Studentët duhet të jenë në gjendje të përqendrohen atje dhe t’u jepet çdo mundësi për të mësuar mirë. Ne e dimë nga kërkimet shkencore se telefonat celularë e prishin këtë”, tha Ministri i Arsimit Robbert Dijkgraaf.
Qeveria tha se zbatueshmëria e kësaj nisme, e cila momentalisht nuk është ligjërisht e detyrueshme do të varet edhe nga dakortësia e shkollave për rregullat duke marrë parasysh edhe mendimin e mësuesve, prindërve dhe nxënësve.
Do të ketë disa përjashtime, duke përfshirë studentët me nevoja mjekësore ose me aftësi të kufizuara, dhe për klasat e fokusuara në aftësitë dixhitale.
Ndalimi nuk është ligjërisht i zbatueshëm, por mund të bëhet i tillë në të ardhmen.
Studime të ndryshme kanë zbuluar se kufizimi i kohës para ekranit të fëmijëve lidhet me përmirësimin e njohjes dhe përqendrimit. Teknologji të tjera, duke përfshirë tabletët dhe orët inteligjente, përfshihen gjithashtu në ndalimin holandez.
Njoftimi vjen pas një vendimi të ngjashëm nga Finlanda javën e kaluar, qeveria e së cilës njoftoi se do të ndryshojë ligjin për ta bërë më të lehtë kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla.Vende të tjera, përfshirë Anglinë dhe Francën, kanë propozuar gjithashtu ndalimin e telefonave celularë për të përmirësuar mësimin në shkolla./alsatm/KultPlus.com