‘Hollivudi në Tiranë’, skenaristët amerikanë: Shqipëria duhet të shndërrohet në qendër të industrisë së filmit

22 Shkurt, 2025 - 3:18 pm

Producentja Pamela Cederquist dhe drejtori i ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr., dy amerikanë të angazhuar në industrinë e filmit, të cilët kanë themeluar qendrën e tyre të trajnimit për talentet e reja në Shqipëri, ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.

“Catalyst Story Institute”, e ngritur në ambientet e ish-Kinostudios është një mundësi për të gjithë ata që duan të hyjnë në botën e kinemasë jo thjesht si regjisorë, aktorë apo  skenaristë, por edhe për të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në zinxhirin e shërbimeve.

Në podkastin “Flasim”, producentja Pamela Cederquist tregoi se si e zbuloi Shqipërinë nga një pikë në hartë, ndërsa gjithçka ndryshoi pas vizitës së saj këtu në vitin 2022, pikërisht për shkak të energjisë dhe historisë që ofron vendi.

Ndërsa për drejtorin ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr., “ky vend është një terren pjellor talentesh të pashfrytëzuara, në pritje që industria ta ndezë e të shpërthejë njësoj si një raketë që është gati të niset në platformën e lëshimit”.

“Lista e mrekullive fatlume shqiptare që na kanë ndodhur këtë vitin e fundit është e jashtëzakonshme ndaj mendoj se jemi në vendin e duhur”, u shpreh ai.

Por sipas tyre, ndikimi i industrisë së filmit shkon përtej interesit së një kategorie të caktuar profesionistësh të cilët përfshihen direkt.

Pamela shpjegoi se si kjo industri kërkon të mbështetet nga një zinxhir i tërë shërbimesh në vendin ku zhvillohet, që do të thotë më tepër ekonomi.

“Nëse ndërtojmë një skenografi filmi dhe supozohet të jetë një banjë, më duhen punimet hidraulike, që të shkarkoj ujë. Nëse është kuzhinë, më duhet energji elektrike. Nëse më duhet ta ndërtoj, më duhen marangozët, nëse më duhet një mur guri, kam nevojë për muratorë, nëse më duhet një kamion, kam nevojë për  shofer. Është gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Ndërkohë impakti që krijon kjo industri, për Philip është më i gjerë akoma, pasi ka ndikim edhe në ekonominë e vendeve.

“Turizmi i filmit është një nga më të fuqishmit ekonomikisht dhe jo vetëm ekonomikisht dhe gjithçka për të cilën po flisni janë ndikimet ekonomike. Megjithatë, është edhe krenari, ka një nivel krenarie. Ka të bëjë me vendosjen e flamurit tuaj në skenën globale dhe thua, “pa na shiko në ekran, jemi këtu”. Ka një fuqi kur sheh një vend në ekran që të bën ta vizitosh apo të mendosh për të. Mund të jetë për pak, sa për të bërë pushimet e radhës atje apo mund të zhvendosesh aty. Ka gjithashtu një lloj fame që vjen me bashkë me këtë”, shtoi ai.

“Unë kam nisur të punoj në industri për HBO-në. Kam punuar në serialet Six Feet Under, Sex in the City, Sopranos, Curb your Enthusiasm. Isha një prej analistëve për çështjet e biznesit në HBO, në fillim të viteve ‘2000 dhe kjo më dha njohuri sesi të merresha me pjesën e biznesit. Kështu, një nga gjërat për të cilat jam më i interesuar dhe ajo që do të duhet nëse Shqipëria do të shndërrohet në një qendër afatgjatë për industrinë, është puna me profesionistët aktualë të biznesit dhe financave në vend që të mësojnë  – ndoshta tani janë investues në pasuri të paluajtshme – sesi investohet në pronësi intelektuale, si të investosh në aktive jomateriale, pse të investosh në filma dhe televizion, cili është modeli i biznesit për këtë, ku janë paratë, ku është fitimi prej tyre dhe si funksionon qarkullimi financiar faktik i ndërtimit të kësaj industrie. Kjo është ajo që e bën Hollivudin Hollivud, sepse ai ishte vendi që nisi të investonte privatisht në industri që para 100 vjetësh”, theksoi ai.

Të ngjajshme