27 Janar, 2023 - 8:00 pm
Homazhet për mjekun Isuf Kalo, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, u mbajtën sot në mjediset e Akademisë së Shkencave.
Mes shumë bashkëpunëtorëve, miqve e personaliteteve që i dhanë sot lamtumirën e fundit, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Akademisë së Shekncave si dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Ndërkohë Bashkia Tepelenë nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se, ditën e shtunë, në Pallatin e Kulturës, “Mustafa Matohiti”, do të zhvillohen homazhet për të përcjellë në banesën e fundit “Qyetarin e Nderit”, të Tepelenës prof. Isuf Kalo. Ceremonia mortore do të zhvillohet në fshatin e tij të lindjes, Luzat.
Isuf Kalo lindi në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.
Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri.
Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës.
Profesor Kalo autor i disa librave mjekësor e jo vetëm, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 80 vjeçare më 20 janar 2023, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë./atsh/ KultPlus.com