25 Prill, 2024 - 4:56 pm
Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel Hyatt, ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përcjell KultPlus.
Rama nëpërmjet një takimi që e ka zhvilluar me Takuya Aoyama, zëvendëspresident për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere me renome botërore Hyatt, ka thënë se lajmin e mirë ia përcolli vetë Aoyama.
“Zëvendëspresidenti Aoyama më përcolli lajmin fantastik për interesimin e korporatës Hyatt për hapjen e një hoteli të zinxhirit të tyre në qendër të Kryeqytetit. Një prej opsioneve të përmendura për hapjen e Hyatt në Kryeqytet është transformimi i ikonës sonë, Hotelit Grand, duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti.
Falënderova përzemërsisht z. Aoyama dhe shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në kryeqytet”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com