Hoteli luksoz në Graz lëshon për tri ditë të gjitha dhomat falas për turistë

14 Maj, 2020 - 12:19 pm

Një pronar i një hoteli luksoz në Graz të Austrisë ka vendosur që për tri ditë të lëshojë falas për turistë 68 dhomat e hotelit të tij me 4 yje. Kjo ka për qëllim të tërheqë vëmendjen pas sfidës me përballjen e Covid -19.

Është një veprim i pazakontë, me të cilin pronari i hotelit, Philipp Florian, dëshiron të stimulojë përsëri turizmin në qytetin e tij pas bllokimit nga koronavirusi, shkruan gazeta austriake, grazer.at, përcjell Albinfo Austria.

Në faqen e tij të Facebook-ut “Parkhotel Graz” dhuron për fundjavën e festës së Rrëshajave “Pfingstwochenende” (nga 29 deri më 31 maj 2020) të gjitha 68 dhomat dhe apartamentet e hotelit me 4 yje superiore – përfshirë edhe Suitet, në të cilat presidentë dhe yje ndërkombëtarë kanë kaluar netët e shumta gjatë traditës së këtij hoteli që ka një histori prej 450 vjetëve.

Me këtë ofertë, Floriani dëshiron të tërheqë vëmendjen ndaj situatës sfiduese me të cilën u përball industria e hotelerisë austriake – dhe veçanërisht industria e hotelerisë së Grazit – para rihapjes së planifikuar pas mbylljes së koronës. “Kur shikoj librin e rezervimeve, shoh pothuajse të gjitha faqet bosh. Do të duhet një përpjekje sociale, por mbi të gjitha, një përpjekje politike për të mbajtur të gjallë turizmin në Austri”, thotë Florian. / KultPlus.com

Të ngjajshme