Hoti kërkon nga kompanitë e autobusëve ndërprerjen e grevës

17 Mars, 2021 - 9:42 am

Transporti publik ka filluar sot grevën dhe gjithashtu kanë paralajmëruar masa tjera nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kompanitë e autobusëve që të ndërprejnë grevën dhe t’i kthehen punës.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga zyra e kryeministrit.

Sipas zyrës së kryeministrit në kuadër të masave për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) për vitin 2021, në vlerë prej 222.4 milionë euro, janë të përcaktuara ndarjet buxhetore për secilën nga masat, përfshirë këtu edhe modalitetet e zbatimit të masave.

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (p.sh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% e qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet tutje në komunikatë.

Qeveria ka sqaruar më tej se “pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”.

Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë vendin për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj tha se të mërkurën që në mëngjes do të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve për të hyrë në grevë përkatësisht në protestë për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes për mbështetje apo subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus. / KultPlus.com

Të ngjajshme