7 Gusht, 2022 - 8:45 pm
Shkrimtarit Rexhep Hoti i është ndarë çmimi për merita letrare për veprën “Nata e Kosovës” në Sicili të Italisë.
Hoti u shpreh falënderues ndaj Shtëpisë Botuese “Kimerik”.
Ai njoftoi se krahas tij, çmim mori edhe Ndue Lazri i cili përktheu veprën e Hotit në italisht.
“I gëzohem këtij çmimi dhe përkthimeve të veprave të mija sepse kështu ndjej sikur jap një kontribut për vendin tim dhe letërsinë natyrisht. Aq më tepër që ky çmim më jepet nga shtëpia botuese “Kimerik” e cila gjer më tash ka botuar mbi 4000 libra”, shkroi Hoti.
Hoti u shpreh se çmimin ia dedikon bashkëshortes së tij, Minës.
“Është bërë rutinë të thuhet prej atyre që marrin vlerësime të tilla se ato i ndajnë me dikë. Kjo është një rutinë e mirë dhe e bukur që ka mbetur për të ndarë diçka me Tjetrin, sepse Tjetri jam unë! Ndaj, këtë çmim ia dedikoj gruas sime, Minës, për të cilën jam gjithmonë i vështirë! Për gjëra tjera mund të rrëfej ajo vetë!”, shtoi Hoti. /KultPlus.com