25 Shtator, 2019 - 3:00 pm
Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” realizoi projektin e emërtuar “Fole”. Në lokalin “Kafja e Egzonit”, pas hapjes së mbrëmjes nga udhëheqësi i këtij asociacioni, Avni Shkodra, projekti u nis me prezantimin për ikjen e lejlekëve nga biologu i ri shqiptar, Liridon Hoxha, i cili jeton aktualisht në Konstancë të Gjermanisë.
Hoxha prezantoi shtegtimin e lejlekëve, unazimin e tyre, vendosjen e GPS-ave dhe projektet e shumta me studiuesit gjermanë edhe në Kosovë, ndërsa Avni Rudaku, sociolog, prezantoi disa copëza rrëfimesh nga libër-dorëshkrimi me hulumtimin e tij – vëzhgim me pjesëmarrje, “Hajmet i hanë refugjatët”, duke prezantuar gjetjet e tij për mënyrën e jetesës në hajmet e Gjermanisë, bashkëjetesën e azilkërkuesve kosovarë bashkë me refugjatët e Lindjes së Mesme, por hera-herës edhe keqkuptimet kulturore që lindnin qoftë ndërmjet vetë refugjatëve, qoftë ndërmjet refugjatëve dhe vendasve.
Në konceptin ideor të projektit “Fole”, “Varg e Vi”, ndër të tjerash, shënon:
Në projektin “Fole” të organizuar nga Varg e Vi, ofrohen dy prezantime, dy qasje, dy rrugë, dy universe, dy rende, dy familje, dy klasa, dy lloje, dy shtegtime, dy qenie, dy organizma, dy gjallesa, dy rrëfime, dy përvoja, dy mbresa që në dukje janë të ndryshme, kundërthënëse e komike, e që në thelb, shndërrohen në tragjedi. Biologu nga Gjermania, vjen nga një mjedis ku njeriu tejkalon plotësimin e nevojave biologjike dhe bashkëjeton me kafshët e brengoset për biodiversitetin, ndërsa sociologu rritet në një shoqëri ku shtegtojnë njerëzit, dhe ku paradite një fëmijë kafshohet prej një qeni endacak e vdes tragjikisht, dhe pasdite shoqëria polarizohet: shumica e pështyjnë sistemin e disa me mllef edhe kundër kafshëve e fajësimit të tyre, dhe një pakicë që proteston për Të Drejtat e Kafshëve, sepse vjen nga universi i biologut, ose synon me të drejtë ta instalon universin e tij, këtu dhe tash. Edhe në Kosovë jetohet në dy universe paralele: dëshira si atje, pamundësia këtu! Epilogu nuk përfundon me triumfin e njërit apo tjetrit narracion e narrator, as me zoocentrizmin (kafshët në qendër!), e as me antropocentrizmin (njerëzit në qendër!), por me biocentrizmin (jeta është në qendër!). “Fole” nuk i dhurohet as bimëve, as kafshëve dhe as njerëzve, por gjallesave në përgjithësi dhe jetës në tërësi.
“Varg e Vi” në muajin tetor, do të vazhdon me projektin tjetër të radhës, ndërsa projekti i tyre “Fole” mori përkrahjen nga Komuna e Gjilanit. / KultPlus.com