26 Maj, 2023 - 7:26 pm
“Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme”, titullohet konferenca shkencore ndërkombëtare, e zhvilluar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë konferencë, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, arkeologu, akademik i asociuar Gëzim Hoxha,
mbajti kumtesën “Kërkimet mbi origjinën e popullsisë arbërore, arritje, dilema dhe sfida të albanologjisë”.
Hoxha bëri një paraqitje të përmbledhur të tezave dhe kundërtezave për origjinën ilire të shqiptarëve, duke e përcaktuar si një problematikë themelore historike ku shënjohen arritjet, dilemat dhe sfidat, që paraqet studimi i mëtejshëm, i cili objektivisht mbetet përherë i pambyllshëm.
Teza e njohur e origjinës ilire të shqiptarëve, e themeluar nga Gotfried Leibniz, Thunmann etj., ka gjetur një mbështetje ndërdisiplinore nga shkenca e re shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit XX e deri më sot. Ajo është formuluar në një mënyrë të tillë, që është pranuar gjerësisht edhe në rang ndërkombëtar. Në pikëpamje gjuhësore, kjo tezë është mbrojtur më plotësisht nga gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, kurse në pikëpamje arkeologjike, ofroi mundësi studimi objektiv e ashtuquajtura kultura e Komanit, e zbuluar që në fundin e shek. XIX – fillimet e shek. XX dhe deri më sot”, theksoi Hoxha.
Hoxha u shpreh se, “krahas gjuhësisë dhe arkeologjisë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XX e deri më sot, në ndriçimin e këtij problemi kanë kontribuar edhe studime të fushave të tjera studimore, si antropologjia fizike dhe sociale, etnografia dhe së fundi edhe analizat mbi strukturën gjenetike të popullatës”./atsh/ KultPlus.com