12 Janar, 2023 - 3:36 pm
Në raportin për vitin 2022 të Human Rights Watch – HRW, të publikuar më 12 janar 2023, ku monitorohen të drejtat e njeriut në mëse 100 vende të botës, përfshihet edhe Kosova.
Në raportin për Kosovën, rëndësi e veçantë iu kushtua kushteve të punës së gazetarëve, ku u vu theks mbi sulmet, kërcënimet dhe ngacmimet në drejtim të tyre. Raporti e vë në pah gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit të kaluar iu referua mediave dhe gazetarëve si “Organizatë e Përbashkët Kriminale”, si dhe gjuhën denigruese të Luan Dalipit, Shefit të Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i quan mediat “biznese kriminale” .
Sadriu në shkurt, ndërsa Dalipi në mars këto pastime i bënë në rrjetin social “Facebook”. HRW iu referua raportimeve të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK ku citohet se “në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe frikësim në platformat e rrjeteve sociale”.
Në raportin e HRW këto deklarata u cilësuan si shtytëse për krijimin e një ambienti armiqësor për gazetarët, ku ndër të tjera u tha se “deklarata të tilla rrezikojnë të ulin besimin e publikut në media dhe se po krijojnë ambient armiqësor për gazetarët”. / KultPlus.com