2 Tetor, 2023 - 11:15 pm
Qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të mund të komunikojmë me telefonat celularë, me kosto shumë më të ulta, ndërsa udhëtojnë në vendet e Bashkimit europian.
Drejtuesja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Majlinda Bregu, njoftoi sot se që prej 1 tetorit, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të reduktuara në masë të ndjeshme nga 30 deri 99 përqind më lirë.
Vendimi për uljen e shpenzimeve ‘roaming’ u mor në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, në Tiranë, falë një marrëveshjeje të nënshkruar nga operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe vendeve të rajonit e cila parashikon shuarjen e plotë të tarifave roaming brenda vitit 2027.
Zonja Bregu në një postim të saj në rrjetet sociale, foli për një histori suksesi. Ajo mori shembullin e kostove të transferimit të një materiali video per 1 gigabite, të cilat deri dje, në rastin e Kosovës, do të kushtonte afro 2500 euro, ndërsa tani, me tarifat e reja, do të mund të realizohet për vetëm 17 euro.
Po kështu, për të njejtin shërbim, në Shqipëri, do të të duhej të paguheshin 565 euro, ndërsa me çmimet e reja, ulet me 99 përqind.
Hapi i parë për zbutjen e tarifave roaming, u hodh nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat që prej 1 korrikut të vitit 2021, i hoqën totalisht ato, për qytetarët e tyre që udhëtonin në vendet e rajonit./VOA/KultPlus.com