7 Korrik, 2024 - 3:59 pm
Hyn në fuqi marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë. Duke filluar nga 6 korriku kjo marrëveshja ka nisur zbatimin ku prej saj përfitojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, si dhe shtetasit italianë që jetojnë në vendin tonë.
Kështu, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet.
Pas datës 6 korrik, shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që kanë derdhur kontributet.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë që do të përfitojnë pension në Shqipëri.
Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Për të marrë pension në Itali duhen 20 vite pune, ndërsa për të përfituar pension në Shqipëri mjaftojnë 15 vite pune. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Negociatat së fundmi janë përqendruar me qeverinë greke./ Top Channel/ KultPlus.com