6 Shkurt, 2024 - 5:30 pm
Ka hyrë në fuqi rregullorja e cila ua mundëson konsumatorëve të shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë, për shkak të ndryshimit të njëanshëm të kushteve kontraktuale. Siç ka bërë të ditur Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdoruesit kanë të drejtë të shkëpusin kontratat pa kosto shtesë.
ARKEP-i ka thënë se rregullorja është në përputhje me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe qëllimi kryesor i saj është fuqizimi i mëtutjeshëm i të drejtave të konsumatorëve. Për të gjitha rastet si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët i shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës.
Sipas ARKEP-it, përdoruesit duhet të njoftohen jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe duhet të informohen për të drejtën për shkëputje nëse nuk i pranojnë kushtet e reja.
“E drejta për shkëputjen e kontratës mund të ushtrohet brenda dy (2) muajve pas njoftimit të tillë. Ofruesit e shërbimeve duhet të sigurojnë që njoftimi të bëhet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme në një medium të qëndrueshëm (sms, e-mail apo përmes adresës postare)”, thuhet në nenin 10 të rregullores.
Në rregulloren e re është përfshirë edhe mundësia e shkëputjes së kontratës për shkak të funksionimit të dobët të shërbimit, pra nëse konsumatorët nuk marrin performancën siç bëhet e ditur në kontratë.
Rregullorja ka sqaruar se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës (gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj), vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.
Një ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor, njoftoi se ka vendosur për t’i obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke ua lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës në rast se operatori nuk i përmbushë obligimet sipas kontratës.
Sipas njoftimit të MINT-it, detyrimi që i vihet konsumatorëve me rastin e lidhjes së kontratës për të paguar pjesën e mbetur të saj edhe nëse ka ndryshuar përmbajtja e shërbimit/kanaleve, është në kundërshtim me ligjin. /KultPlus.com