4 Janar, 2021 - 11:00 pm
Një person ka kthyer shpatën që e kishte vjedhur nga një statujë të gjeneralit të Luftës Revolucionare para 40 vjetësh, derisa i ka thënë drejtoreshës së komisionit të historisë në Massachusetts se është penduar për të.
Drejtoresha e Komisionit të Historisë të Westfield, Cindy P. Gaylord, tha se një burrë e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se kishte vjedhur shpatën nga statuja e gjeneralit William Shepard në vitin 1980.
Gaylord pranoi që ta mbante atë person anonim nëse do ta kthente shpatën e bronztë, duke ia bërë të mundur që atë ta dorëzonte te shtëpia e saj.
“Ai është veteran dhe më tha se fakti që ai ia bëri këtë një tjetër ushtari, e trazoi atë. Ai do që ngjarja e tij t’i kujtoj njerëzve se diçka që bën në rininë tënde mund të të trazojë për tërë jetën”, tha ajo.
Shpata e vjedhur ishte zëvendësuar nga një skulptor lokal dhe ishte paguar nga një donator anonim, ndërsa shpata e rikthyer me shumë gjasa do të mbahet në muze, raporton The Republican, transmeton AP.
Shepard ka lindur në 1730 dhe ka luftuar si ushtar në disa luftëra, përfshirë Luftën Revolucionare. Qyteti kishte ngritur statujën e tij në vitin 1919./ap/ KultPlus.com