17 Gusht, 2020 - 3:06 pm
Sot janë bërë 56 vite nga vrasja e mësuesit e patriotit Fazli Greiçevcit. Ai ishte në mesin e veprimtarëve më të shquar të viteve ‘60 të shekullit të shkuar.
Fazli Greiçevci u përkujtua sot edhe nga Albin Kurti, si një aktivist e intelektual i rrallë. Kurti gjithashtu në këtë datë të shënuar përkujtoi edhe dëshmorin e UÇK-së Cen Dugollin, i cili vdiq 22 vite më parë, më 17 gusht 1998, pas torturave në duart e hetuesve, në burgjet e pushtuesve.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
“56 vite më parë, më 17 gusht 1964, në burgun e Prishtinës pushtuesit serbë vranë mësuesin patriot, Fazli Greiçevcin. Në luftën e kombit për liri e bashkim, Fazli Greiçevci ishte në mesin e veprimtarëve më të shquar të viteve ‘60 të shekullit të shkuar. Ai ishte ndër themeluesit e Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e cila udhëhiqej nga Adem Demaçi, dhe si poet e mësues nuk ndalej së përhapuri idenë e qëndresës pa u ndalur e pa u thyer. Në prill të vitit 1964 ngriti flamurin kombëtar në majën e Goleshit. E për veprimtarinë e tij u arrestua në gusht të atij viti, u torturua çnjerëzisht nga UDB-ja për 14 ditë, dhe vdiq si hero, pa i mohuar bindjet e veta.
I vetëdijshëm se ndoshta nuk do ta arrinte vetë ditën e lirisë, ai i shkruajti kësisoj flamurit tonë kombëtar:
“Kur burgu sytë m’i verbon
Përsëri kam me jetu…
O ty dikush do të feston,
Unë prap kam me u gëzu.”
Po sot, përkujtojmë edhe dëshmorin e UÇK-së Cen Dugollin, i cili vdiq 22 vite më parë, më 17 gusht 1998, pas torturave në duart e hetuesve, në burgjet e pushtuesve. Cen Dugolli u arrestua në shtëpinë e vet në Ferizaj, në qershor 1998. Dy muaj rresht ai u torturua deri sa iu ndal zemra. Por kurrë nuk i tregoi shokët e tij.
Lavdi për heronjtë tanë, të cilët duhet t’i kujtojmë përherë, idealistë siç kanë qenë. Ideali e çon përpara popullin tonë dhe projektin kombëtar, dhe historia e dëshmorëve është mësuese për ata që rriten në liri, që kurrë më të mos e humbin atë.” / KultPlus.com