Idiotët më bindën se duhet të vazhdoj

6 Dhjetor, 2023 - 4:30 pm

Labinot Kunushevci

Për herë të parë kam filluar të punoj në moshën 17-vjeçare në një librari në kryeqytet, kur gjatë shkollës së mesme u bëra librashitës, me 4 orë punë në ditë dhe me një pagë prej 50 eurosh. Pas disa muajsh, pagës sime iu shtuan 20 euro dhe ajo u ngrit në 70 euro. Ishte diçka shumë motivuese. Aty i mësova disa aftësi të komunikimit, të shitjes, të qasjes me publikun, për produktin, për promovimin, mësova nga gabimet, krijova një rrjet të ri shoqëror. Përvoja me një strukturë njerëzish që lexojnë ishte libër në vete. Kam bërë edhe punë të tjera përgjatë shkollimit dhe studimeve të mia, me të vetmin qëllim: të bëhesha i pavarur.

Në moshën 18-vjeçare, vitin e katërt të shkollës së mesme e mora me korrespodencë, sepse më duhej të punoja në një gjellëtore në të njëjtën kohë si kamerier, skarist dhe shpërndarës, 10 orë në ditë, 26 ditë në muaj, për 150 euro në muaj. Pastaj kam punuar si transmetues emisionesh në një televizion. Derisa u pranova në universitet në vitin 2012, e provova edhe punën e enëlarësit në një “Fast Food”. Kisha kaluar 8 muaj praktikë profesionale në një zanat në periudhën 2007-2008. Pas shkollimit të mesëm, pauzova për një vit, u regjistrova në një bibliotekë dhe u përgatita për të aplikuar në Fakultetin e Sociologjisë, pasi Letërsia shqipe më kishte refuzuar për student në vitin 2011. Isha nxënësi më i dalluar në shkollë të mesme. Njëjtë ndodhi edhe gjatë studimeve.

Gjatë studimeve themelore, ndonëse fokusohesha maksimalisht në sociologji, diçka për të cilën e dëshmuan edhe profesorët dhe kolegët e asaj kohe, unë merresha me shitje të librave në mënyrë private. Në bashkëpunim me një shtëpi botuese, i mora mbi 10 000 euro libra në shtëpinë time për t’i menaxhuar në shitje, krahas studimeve (bëja marketing të librave, bëja shpërndarje nëpër librari, shisja individualisht, shisja përmes postës në Evropë dhe raportoja për çdo qarkullim, me një përqindje të vogël fitimi). Nuk kisha ndonjë bursë dhe nuk e kisha lehtë, pasi mbeta pa baba në moshën 14-vjeçare.

Në mesin e studimeve master, në vitin 2016, udhëtova në Gjermani dhe punova për 3 muaj verorë punë fizike, për t’i fituar në total 3,000 euro, ku gati 1/3 më shkuan për pagesën e kontratës/vizës së punës sezonale. Në Shtutgart pastroja zyre (punësim formal), ndërsa në rajonet përreth punoja në kositjen e barit (punësim joformal). Gjatë ditës punoja në dy firma, ndërsa në mbrëmje punoja me laptopin tim duke zhvilluar intervista me shkencëtarët më të njohur të sociologjisë në botë (përgatitja librin tim të parë me intervista, që u botua në vitin 2017). Për aq sa punoja ditën në firma, këmbët i kisha atje, por mendjen në studime.

Pasi u ktheva në Kosovë, vazhdova me vitin e dytë master dhe u punësova si gazetar në një portal informativ, ku punova për 1 vit e gjysmë, për 250 euro. Ndërsa studioja, temën time të diplomës master e shndërrova në libër dygjuhësh. Fitova një çmim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për “Shkrimin më të mirë për promovimin e Kosovës”. Intervistat e mia kishin bërë jehonë pasi u përkthyen në 17 gjuhë të botës. Zoti më kishte dhënë një shkathtësi dhe mjeshtri të mprehtë në strukturimin dhe realizimin e intervistave. Mora vlerësime nga qarqet më të larta akademike të sociologjisë botërore, që gjenden të botuara në libër. Sot, në eseistikë, mund ta sfidoj secilin profesor të komisionit, të cilët nuk më kanë pranuar për student të letërsisë në vitin 2011.

Në studimet master, kam qenë koordinator në projekt-ekspozitën “Prishtina në 77 pamje”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Kam punuar edhe si anketues terreni në një kompani hulumtimi, si ligjërues në trajnime dhe projekte të organizatave të ndryshme lidhur me integrimin, kulturën dhe orientimin në karrierë. Një kohë kam shkruar artikuj dhe kam realizuar intervista, me pagesë, për disa revista dhe portale. Ndërsa kërkesat nga Ministria e Arsimit për autor dhe recensent të teksteve shkollore gjithmonë i kam refuzuar.

Por kam bërë edhe shumë punë vullnetare, ndër to, në periudhën 2016-2018, kam qenë intervistuesi i vetëm shqiptar në revistën prestigjioze “Global Dialogue”, të Shoqatës Ndërkombëtare të Sociologjisë, ku kam intervistuar shkencëtarë të njohur, intervista këto që u përkthyen dhe u botuan në 17 gjuhë botërore.

Universiteti i Prishtinës u tregua i padrejtë ndaj meje kur më diskriminoi në konkursin për asistent në vitin 2017. Shkeljet etike dhe profesionale i denoncova publikisht dhe, përveç betejës morale, arrita ta fitoj edhe betejën juridike, pasi i rrëzova dy vendime: një të Fakultetit Filozofik dhe një të Inspektoratit të Punës, në procesin tim të ankimit në shkallët e inspektoratit dhe të gjykatës, për shkelje administrative. As kjo sfidë nuk më dorëzoi. Përkundrazi, më forcoi shumë. Iu mbështeta Zotit dhe Ai më hapi një rrugë tjetër më të mirë. Sot, puna me talente të shkollave dhe të universiteteve, përkrahjen e tyre shkencore dhe financiare që ua bëjmë, më përmbushë profesionalisht.

Nga viti 2018, për 5 vjet punova në 6 shkolla publike si mësimdhënës, me angazhime të ndërprera, dhe Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk më sistemoi në angazhim të rregullt. Punësoi lloj-lloj analfabeti funksional, në pozitat ku unë aplikoja. Jam refuzuar edhe nga shumë institucione tjera publike dhe private në konkurset dhe interesimet e mia për punë. Prapë nuk u dorëzova.

Sot jam koordinator i dy organizatave joqeveritare mjaft të besueshme:

1. Jam një nga themeluesit dhe koordinator profesional në fondacionin “VILDANA”, i themeluar nga mërgata shqiptare në Zvicër, për t’i mbështetur me bursa studentët e talentuar shqiptarë;

2. Jam mësimdhënës i sociologjisë dhe koordinator i cilësisë në shkollën elitare “New York School of Science in Kosova”, shkollë e orientuar me talente në STEM.

Përvojën time dhe betejën e fituar me idiotët e kam përshkruar në dy librat e mi të fundit: “Shoqëri pa Kulturë” dhe “Pasionet e Idiotëve”. Ky i fundit, “Pasionet e Idiotëve”, është ndër librat më të kërkuar.

Më këtë rrëfim dua t’i motivoj disa të rinj, të cilët sot i ka kapluar një dembeli e paarsyeshme dhe një kompleks i inferioritetit. Nuk arrij t’i kuptoj pse ata dorëzohen në sfidën e parë dhe pse ata kërkojnë vetëm kushte ideale për punë, ndërsa s’e kanë asnjë aftësi apo inteligjencë të funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, gjersa ironikisht duan rezultate të jashtëzakonshme. Duan me çdo kusht që puna e parë që bëjnë të jetë privilegj, t’u ofrojë autoritet dhe një pagë të madhe, ndërsa s’e kanë as përvojën, as përgatitjen, as trajnimin, as kompetencën e duhur.

Dinë vetëm ta shajnë realitetin, njerëzit, shtetin. Duan sukses, fitore, çmime, statuse e privilegje, pa mund, pa konkurrencë dhe pa sakrificë. E kërkojnë gjithmonë rrugën më të shkurtër. Duan shpejt, lehtë, gatshëm, afër dhe sigurt. Duan falje dhe mëshirë, tolerancë dhe liri, fleksibilitet dhe përkëdhelje, hapësirë dhe shanse, pa kufi. Sepse ata, duke u mësuar të bënin një jetë të lehtë e të gatshme, po bëhen gjithnjë e më shumë të paaftë, dembelë e parazitë. Kështu, edhe sfida më e vogël i rrëzon përtokë. Dhe nuk u ndihmon asgjë nëse ata vazhdojnë të aktrojnë si viktima në ato probleme që ata vetë i krijojnë. Duke formuar principe egoiste, ambicie materialiste, qasje jofleksibile, humbin miq dhe humbin shanse, shkatërrojnë resurse, prishin plane, pengojnë projekte. Kjo mënyrë ua ul vetëbesimin dhe këtë depresion të këtyre të rinjve nuk e shëron dot as migrimi, nuk e mbulon dot as manipulimi. Nëse nuk e adhurojnë punën, nëse nuk e kuptojnë se njeriu është qenie e punës dhe se gjërat e mëdha nuk arrihen brenda natës. Pa kaluar nëpër sfida, rrugë e sakrifica të ndryshme, nuk do të mundë të jenë të suksesshëm.

Ka vetëm një zgjidhje për të rinjtë: të çlirohen nga iluzionet dhe ta ndërrojnë konstruktin e të menduarit për suksesin dhe karrierën. / KultPlus.com

Të ngjajshme