21 Mars, 2020 - 5:20 pm
Mjeku dhe gjeniu më i pafat e i mohuar ndonjëherë, është pikërisht hungarezi Ignaz Semmelweis, për të cilin Google sot feston zbulimet në përvjetorin e fillimit të stazhit të tij si drejtues i specialistëve të klinikës më të madhe obstetrike në Vienë.
Në prill 1847, ndërsa punonte, Ignac Semmeweis zbuloi se ethet puerperale, një sëmundjeshkaqet dhe kura e së cilës aso kohe injoroheshin totalisht, e cila vriste gati 40% të grave që lindnin, nuk provokohej siç besonin shumica, nga një çekuilibër në “disponimet” e trupit të njeriut. Sipas Semmelweis ishte një infeksion i së njëjtës natyrë me atë që vrau kirurgët që aksidentalisht dëmtuan veten gjatë ekzaminimeve të kufomave ose gjatë operacioneve mbi pacientët e infektuar.
Ai vërejti se nëse profesori ose studentët që vizitonin një grua që do të lindte, vinin nga një dhomë operacioni ku kishin kryer një autopsi (pa ndonjë mbrojtje, larje ose dezinfektim), ose kishin parë për herë të parë një grua të infektuar, ata i transmetonin kështu pacientit fatkeq një sëmundje vdekjeprurëse. Me pak fjalë, shkaku i etheve puerperale ishte vetë mjeku, i cili transportonte nga një pacient te tjetri diçka që mbetej e lidhur në duar dhe që shkaktonte sëmundjen.
Në fakt, obstetrika në Vjenë përbëhej nga dy pavione: në të parin punonin doktorët dhe studentët, në të dytën mamitë. Por, çuditërisht, në të dytën, përqindja e vdekjeve nga ethet puerperale ishte shumë më e ulët. Mamitë, ndryshe nga mjekët dhe studentët, nuk kryenin autopsi. Kështu që ato nuk e infekstonin pacienten.
Nga mesi i majit 1847, mjeku i ri propozoi të përdoret klori për dezinfektimin e duarve të studentëve dhe profesorëve. Propozimi ishte mjaft i thjeshtë për të dalë i parëndësishëm: për fat të keq komuniteti i gjinekologëve e konsideroi atë jo vetëm të parëndësishëm, por edhe të padobishëm! Sidoqoftë, Semmelweis arriti të zvogëlojë vdekjet me 90% në vetëm një vit.
Semmelweis kishte njoftuar vazhdimisht për hulumtimin e tij tre personaliteteve të shquara të mjekësisë vjeneze, të cilët kishin qenë profesorët e tij: Karl von Rokitansky, Joseph Škoda dhe Ferdinand von Hebra, të cilët u përpoqën në çdo mënyrë që ta bëjnë të njohur zbulimin e këtij nxënësi të padëgjuar në botën shkencore. Por të gjitha përpjekjet ishin të padobishme: gjinekologët më të mëdhenj të kohës e konsideruan hipotezën e Semmelweis si një gjë të kotë. Armiqësia ndaj tij ishte e tillë saqë ai u detyrua të largohej nga klinika ku kishte provuar korrektësinë e intuitës së tij.
I dëshpëruar, pas 13 vjetësh kundërshtish dhe i keqkuptuar nga shumica, Semmelweis filloi të shkruante letra të hapura për mjekët dhe akademitë individuale, dhe përfundimisht filloi të shpërndante edhe fletëpalosje. Tonet e letrave drejtuar kundërshtarëve të tij ishin profetikë dhe kërcënues: ai i dha të gjithëve vrasësin. Ishte e kotë, dhe toni polemik dhe agresiv i tij kontribuoi në margjinalizimin e tij. I mërzitur edhe nga punët e pafat për familjen, ai përfundoi të humbasë arsyen e tij dhe vdiq në një azil në 13 gusht 1865. Vetëm disa vjet më vonë, kur Pasteur themeloi bakteriologjinë, më në fund ishte e mundur të pranohej se ai kishte qenë një pararendës i shkëlqyeshëm.
Sot nëse mund ta luftojmë CoVid-19, nëse kemi zhdukur tifon dhe kolerën, nëse murtaja është vetëm një sëmundje e së kaluarës, ia kemi borxh higjienës dhe pastrimit të duarve në veçanti. Dhe, pra, edhe për Ignác Semmelweis dhe intuitën e tij. Për këtë, si Google dhe si të gjithë të tjerët, ju kujtojmë se si t’i lani duart mirë, kohëzgjatja e tërë procedurës: 40-60 sekonda. /KultPlus.com