21 Janar, 2025 - 3:38 pm
Teatri Kombëtar uroi sot ikonën e skenës dhe filmit shqiptar Ndriçim Xhepën, me rastin e ditëlindjes.
Aktori i njohur i dhjetëra roleve në kinema e teatër, lindi në Tiranë më 21 janar të vitit 1957.
Që pas mbarimit të studimeve për Dramë në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1979, Xhepa u shqua për rolet e tij të spikatura si aktor i Teatrit Kombëtar dhe për personazhet e luajtura mjeshtërisht në mbi 30 filma, duke u kthyer në një nga aktorët më të preferuar të publikut dhe regjisorëve.
Në teatër, Xhepa ka interpretuar rreth 40 role, nga të cilët veçohen interpretimet tek “Nata e dymbëdhjetë”, “Romeo e Xhulieta”, “Prometeu”, “Në jetë”, “Monserrati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” etj.
Në vitin 1995 ai fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” për aktorin më të mirë për shfaqjen “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër”.
Prej vitit 1988 u bë pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik. Në vitet ’90 interpretoi role protagoniste edhe në produksione të pavarura në Shqipëri dhe hapësirat shqipfolëse.
Ndriçim Xhepa ka ndërtuar karaktere personazhesh që mbetën në kujtesën e publikut, si per shembull në filmat: “Shokët”, “Kohë e Largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përdhunuesit”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Hije që mbeten pas”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”, “I dashur armik”, “Lindje – Perëndim – Lindje” etj.
Ai është gjithashtu tre herë fitues i Kupës për Aktorin më të Mirë në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000./atsh/KultPlus.com