Ikona e vitit 1860, në proces restaurimi dhe konservimi

10 Mars, 2025 - 3:40 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë tregoi përmes rrjeteve sociale procesin e restaurimit dhe konservimit të ikonës së Johan Pagëzorit.

Ikona “Johan Pagëzori” ka qënë në një ikonostas për të cilin nuk ka shumë informacion. Ajo është pikturuar në vitin 1860 dhe kishte pësuar dëmtime të mëdha. Ishte rrëzuar një pjesë e konsiderueshme e shtresës pikturale duke zbuluar gruntin e bardhë. Verniku ishte errësuar dhe oksiduar.

Pas konsolidimit të shtresës së gruntit dhe pikturës dhe pas largimit të vernikut të degraduar, ikona është në procesin e ndërhyrjeve estetike që kapin një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së saj.

Figurës së Johan Pagëzorit i janë dedikuar një numër i madh ikonash. Vitin e kaluar MKMA, në kuadër së Ditës së Muzeve, organizoi një ekspozitë me 13 ikona të cilat rrëfejnë ngjarjet kryesore në jetën e Johan Pagëzorit. Disa prej këtyre veprave nuk u njihet autori, ndërsa të tjera janë realizuar nga Kostandin Jeremonaku dhe Vangjel Zengo. Ikonat janë realizuar në periudha të ndryshme prej shekullit të 14-të deri në shekullin e 20-të.

Johan Pagëzori është një ndër figurat më të rëndësishme të krishtërimit, i njohur ndryshe si “pararendësi”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme