18 Dhjetor, 2024 - 5:00 pm
Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Muzeumeve Berat, çeli sot ekspozitën fotografike “Ikonat mariane në Muzeun Historik Kombëtar”.
E çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Ikonografisë “Onufri” në Berat, kjo ekspozitë sjell pranë publikut disa prej veprave më të rëndësishme të ikonografisë shqiptare, kushtuar Shën Mërisë.
Në ekspozitë shpalosen foto të ikonave të realizuara nga mjeshtrit e mëdhenj si Onufri, David Selenica, Onufër Qiprioti, Joan Athanasi, Mihal Anagnosti dhe Diço Zografi, duke treguar madhështinë dhe delikatesën e artit të tyre.
Ikona “Shën Maria me Krishtin” zë një vend të veçantë, duke treguar përmes kompozimeve të ndryshme përkushtimin dhe frymëzimin hyjnor të artistëve.
Po aq tërheqëse janë edhe “Dyert e bukura”, me skenën mbresëlënëse të “Ungjillëzimit të Hyjlindëses”, një kryevepër që simbolizon momentin e shenjtë të artit dhe besimit.
Kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme për publikun e Beratit dhe vizitorët që të zbulojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore./atsh/KultPlus.com