12 Nëntor, 2020 - 2:58 pm
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka mbajtur konferencë me Fondacionin e Mileniumit të Kosovës, ku është diskutuar për projektin i cili do t’i informoj qytetarët për cilësinë e ajrit, shkruan KultPlus.
Ky projekt do të siguroj raportimin mbi cilësinë e ajrit në kohë reale në 12 stacione monitoruese.
‘’Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit’’, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Synimi kryesor i këtij projekti mbetet informimi i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve për cilësinë e ajrit, në tentim të përmirësimit të shëndetit publik dhe zvogëlimit të ndotjes.
‘’Fushtata mbarëkombëtare për vetëdijësim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit’’, njofton IKSHPK.
Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK, implementuar nga NIRAS. /KultPlus.com