23 Janar, 2025 - 2:00 pm
Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut, një atraksion turistik i Himarës, do t’i nënshtrohet restaurimit. Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore vizituan kishën në kuadër të projektit të restaurimit të këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
IKTK nëpërmjet një publikimi në rrjetet sociale thotë se, restaurimi do të sigurojë ruajtjen e vlerave të padiskutueshme të kësaj kishe dhe tejçimin e tyre brezave të ardhshëm.
Përveç bukurive që ofron bregdeti jonian, turistët që vijnë këtyre anëve mund të bëhen dëshmitarë edhe të bukurive të trashëgimisë kulturore, siç është kjo kishë. Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kalasë së Himarës, në kuotën më të lartë të saj dhe daton në fundin e shekullit X dhe fillimin e shekullit XI.
Muret e saj dëshmojnë disa faza ndërtimore, ndërsa pikturat murale pasbizantine ruhen ende në brendësi. Dikur Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut ka qenë seli e Peshkopatës së Himarës. Disa gjurmë në një pllakë guri datojnë në vitin 786, prandaj mendohet nga arkeologët se kisha është ndërtuar kryesisht në dy faza. Gjithsesi gjurmët në muret e saj tregojnë se janë bërë rindërtime të shumta. Kjo kryesisht prej sulmeve të shumta mbi kala dhe gjendjes së përkeqësuar të shumë ndërtesave ngjitur.
Kisha aktualisht vizitohet nga turistë të shumtë për vlerat që pasqyron në pikturat murale pasbizantine./ KultPlus.com