IKTK në Butrint, inspekton veprimtarinë e fondacionit që menaxhon qytetin antik

21 Mars, 2025 - 1:20 pm

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një inspektim në Parkun Kombëtar të Butrintit, në kuadër të grupit të monitorimit të veprimtarisë së Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i ngritur me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky proces synon të sigurojë zbatimin e standardeve më të larta për ruajtjen dhe menaxhimin e këtij siti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të Marrëveshjes së Administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.

Përmes formës së administrimit indirekt, Fondacioni synon gjithashtu ruajtjen dhe mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, sigurimin e aksesit dhe shërbimet për publikun në të, promovimin e saj dhe aktivitetet studimore e kërkimore, si dhe përdorimin, qarkullimin dhe veprimtaritë arkeologjike të Pasurisë Kulturore, duke e menaxhuar dhe zhvilluar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar mjetet e nevojshme financiare dhe stafin e specializuar, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e saj për të gjithë kohëzgjatjen e administrimit indirekt./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme