29 Prill, 2022 - 8:20 pm
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, ka përfunduar procesin e hartimit të “Planit për Ruajtjen, Mbrojtjen dhe Administrimin e qendrës historike të Elbasanit dhe zonës mbrojtëse të saj”.
Pas miratimit në Këshilli Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), procesi do të vijojë me fazën e miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Qyteti i Elbasanit, me fillesa të tij që në shek. II pas Kr., por edhe më herët si itinerar kalimi, njihej me emrin Candavia. Më pas, është bërë i njohur si qendër antike kur ka nisur jetën si një pikë e itinerarit të “Via Egnatias”. Duke pasur një pozitë të favorshme gjeografike, shpejt u kthye në stacion kryesor të rrugës Egnatia.
Qendra historike e Elbasanit përfshin të gjithë lagjen brenda mureve rrethuese të kalasë si edhe sipërfaqen që kufizohet nga 3 rrugë. Kalaja e Elbasanit, së bashku me muret rrethuese dhe banesat me arkitekturë vernakulare, përfshihen në grupin e ansambleve urbane tradicionale.
Urbanistika e ansamblit të banuar brenda kalasë, ruan trajtat organike, origjinale në shtrirje, tipike e vendbanimeve të traditës.
Ndër vite, struktura urbane, duke ruajtur identitetin e saj, pranoi ndryshimin, përshtatjen dhe transformimin si elemente konceptualë të domosdoshëm të formës urbane, në përpjekje për t’iu përgjigjur ndryshimeve të jetës shoqërore dhe urbane të qytetit. /KultPlus.com