Ilir Meta vlerëson poeten e shquar, Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”

20 Tetor, 2020 - 9:53 pm

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Titulli iu dha poetes Jorganzhi me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.

Në fjalën e tij drejtuar artistëve, personaliteteve të artit dhe kulturës dhe familjarëve të poetes Jorganxhi, Meta theksoi se “të nderuar personalitete të artit e kulturës, të nderuar familjarë, të nderuar pjesëmarrës. Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të shquar të letërsisë dhe artit shqiptar, poeten e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi”.

“Ky aktivitet në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, është një nismë që shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës. Thuhet që arti i kapërcen kohërat dhe kjo shprehje gjen kuptim të plotë në veprimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, që vazhdon të mbetet edhe pas më shumë se 50 vitesh, një nga emrat më të rëndësishëm të shkollës shqiptare të këngës dhe të poezisë”, – nënvizoi Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “e lindur në qytetin e Korçës, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe muzikore, Zhuliana Jorganxhi u rrit mes muzikës dhe poetikës së këngëve korçare, duke ndjekur natyrshëm rrugën e artit. Aktiviteti i saj letrar fillon që në moshë të hershme dhe poezitë e saj shohin dritën e botimit kur ajo ishte vetëm 17-vjeç”.

Por, vijoi Meta, ajo çka e bëri Zhuliana Jorganxhi të quhet “Mbretëreshë e këngës shqiptare” është kontributi i jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe.

“Me thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndenjën e thellë, vargjet e krijuara nga Zhuliana kanë marrë madhështi dhe përjetësi. Të gjithë ne jemi rritur duke dëgjuar emrin e saj si autore e teksteve të këngëve të festivaleve tona kombëtare, e lidhur kjo ngushtësisht me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve më të shquar shqiptar. Fjala e shkruar prej saj i ka dhënë vlerë muzikës dhe forcë tingullit, duke hyrë thellë në shpirtin e dëgjuesve. Zhuliana është një poete me ndjeshmëri të lartë jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore”, – u shpreh Meta.

Më tej Presidenti tha se “në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia. Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelektuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror”.

“Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh””, – tha Meta./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme