10 Gusht, 2024 - 2:45 pm
Imane Khelif ka thënë se medalja e artë e fituar nga ajo në Lojërat Olimpike Paris 2024 është përgjigja më e mirë ndaj fushatës që e kishte atë në qendër.
Boksierja njëzet e pesë vjeçare nga Algjeria, pasi ka mposhtur boksieren nga Kina Yang Liu, është bërë femra e parë algjeriane që fiton medalje olimpike në boks. Në Paris emri i Khelif qe teme e një debati për përkatësinë gjinore që ka mbizotëruar titujt e mediave dhe ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale.
“Për tetë vjet kjo ishte ëndrra ime. Jam kampione olimpike, medaliste e artë. Jam shumë e lumtur. Tetë vjet, pa gjumë. Tetë vjet, e lodhur. Tani jam kampione olimpike dhe jam shumë e lumtur. Dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën, popullin algjerian dhe të gjithë njerëzit në Paris”, ka thënë Khelif. “Kjo medalje e artë është përgjigja më e mirë ndaj fushatës së ashpër kundër meje”.
Khelif është shprehur rreth përkatësisë së saj gjinore. “Unë jam vajzë si çdo vajzë tjetër. Kam lindur si vajzë dhe kam jetuar si vajzë, por ka armiq të suksesit dhe ata nuk mund ta pranojnë suksesin tim”./RTK/ KultPlus.com