Inaugurohet Shkolla Kombëtare e Doktoratës në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit

3 Mars, 2023 - 4:59 pm

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është inauguruar sot Shkolla Kombëtare e Doktoratës në TIK.

Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin: kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, përfaqësues të qeverisë dhe misioneve diplomatike në vend, prof. dr. Qerim Qerimi, rektor i UP-së, rektorët e universiteteve partnere, profesorë e studentë. 

Hapjen e ceremonisë e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi. “Universiteti ynë ka luajtur një rol vendimtar në realizimin e kësaj shkolle dhe ne jemi të emocionuar ta presim dhe ta bashkërendojmë atë për dy vjetët e ardhshëm”, tha rektori në nisje të fjalës së tij. Ai tha se shpreson që kjo shkollë të shërbejë si një katalizator për inovacion, bashkëpunim dhe ndikim të mëtejshëm në fushën e TIK-ut, si në Kosovë ashtu edhe më gjerë, duke i inkurajuar studentët tanë që ta përqafojnë këtë mundësi me entuziazëm, kuriozitet dhe përkushtim.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës tha se ky projekt sjell bashkëpunimin e nevojshëm ndërmjet universiteteve prestigjioze evropiane dhe universiteteve në vendin tonë. “Kjo shkollë, që po e inaugurojmë sot, është një bllok i rëndësishëm në ndërtimin e progresit që e synojmë. Ky program ndihmon në zhvillimin e ideve inovative, të cilat kanë potencial krijimin e produkteve të reja, bizneseve dhe profesioneve, të cilat e ndihmojnë këtë vend të bëjë transformimin e nevojshëm”.

Inaugurimi i shkollës së TIK-ut në Kosovë u përshëndet edhe nga ambasadori i Norvegjisë, shkëlqesia e tij, z. Jens Erik Grondahl. Ai tha se është i lumtur që qeveria norvegjeze po bashkëpunon me atë kosovare në ngritjen e transformimit digjital në Kosovë. “Kosova është një superfuqi digjitale, e cila po vazhdon të shfaqet dhe e cila është shumë para vendeve fqinje në këtë fushë. Së bashku, me hapa të tillë, mund të themelojmë bazën për zhvillim të mëtejshëm. Kjo ditë është një moment historik”, theksoi ambasadori.

Projekti i lansimit të shkollës është mbështetur edhe nga ambasada e Suedisë në Kosovë. Përfaqësuesja nga kjo ambasadë, znj. Katja Holboll, tha se Suedia ka kohë që e ka vendosur fokusin e saj në arsim dhe hulumtim, gjë e cila ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve për inovacion. Sipas saj, potenciali i njëjtë është edhe në Kosovë.

Për rëndësinë e shkollës së TIK-ut në Kosovë folën edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi. Të dyja theksuan përkushtimin e ministrive për ngritje të kapaciteteve në fushën e teknologjisë dhe komunikimit. Njëherësh, u theksua edhe nevoja për përfshirje të diasporës në këtë zhvillim.

Ndërkaq, rektorët dhe përfaqësuesit e universiteteve partnere në këtë projekt, prof. Peter Aronsson nga Universiteti Linnaeus, prof. Samedin Krrabaj, nga Universiteti i Prizrenit, profesor Edmond Hajrizi nga kolegji UBT, Nikos Zaharis, drejtor në Qendren Kërkimore të Evropës Juglindore, si dhe Mohamed Abomhara, përfaqësues i Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, shpalosën angazhimet e tyre për themelimin e kësaj shkolle dhe theksuan edhe gatishmërinë e tyre për avancim tutje të misionit të saj.

Në fund të ceremonisë, prezantuan Christina Keller nga Shkolla Suedeze e Menaxhmentit dhe IT-së dhe Anita Mirijamdotter, koordinatore e projektit PhDICTKES.

Mbylljen e ceremonisë e bëri profesori Drilon Bunjaku, njëherësh drejtor i Shkollës së TIK-ut në Kosovë. Ai shpalosi objektivat e kësaj shkolle, të cilat, ndër të tjerash, përfshijnë: ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në TIK; fasilitimin dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për ndërlidhje të arsimit të lartë me industrinë; organizimi i aktiviteteve shkencore për studentët e doktoratës, ndërkombëtarizimin e punës shkencore, e të tjera qëllime.

Shkolla është themeluar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe implementimi i një programi të TIK-ut për Sistemin e Arsimit në Kosovë – PhDICTKES”, pjesë e programit Erasmus+ Key Action 2. Synimi i shkollës është të fasilitojë studimet e doktoratës në këtë fushë, duke u bazuar në përvojën e universiteteve partnere të BE-së./ KultPlus.com

Të ngjajshme