13 Prill, 2021 - 9:30 am
Vala e dytë e koronavirusit në Indi vazhdoi ta kaplojë shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në botë. Të martën, atje u regjistruan hiç më pak se 161 mijë e 736 raste për 24 orë.
Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 13.69 milionë persona. Kjo shifër e bën Indinë vendin e tretë më të prekur në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 879 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia e koronavirusit në Indi shkoi në 171.058, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Shifra ditore e rasteve e ka kaluar kulmin e valës së parë të pandemisë, e cila u shënua në shtatorin e vitit të kaluar. Për këtë arsye, autoritetet në shumë shtete kanë urdhëruar masa të reja izoluese për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.
India ka një ndër shifrat më të larta të personave të vaksinuar për Covid. Sidoqoftë, shifra prej dhjetëra milionësh është akoma modeste në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë – 1.35 miliard. / KultPlus.com