13 Maj, 2020 - 7:55 pm
Këtë javë bota e filmit do të mblidhej në jug të Francës për festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë. Por për shkak të krizës së koronavirusit, Festivali i Cannes u anulua. Disa festivale më të vogla po reagojnë ndryshe.
As tapetë të kuq, as yje të kinematografisë, as Palmë e Artë. Për shkak të koronavirusit organizatorët e Festivalit të Filmit në Cannes e anuluan atë. Fillimisht ata menduan ta zhvendosnin festivalin në fillim të verës. Por edhe kjo ide u hodh poshtë. Sikurse edhe ideja e organizimit të festivalit në internet. Drejtori i Festivalit Thierry Frémaux tha në një intervistë se ky festival me historinë, shpirtin, shkëlqimin dhe traditën e tij nuk mund të shndërrohen në një festival online. Edhe pse kjo deklaratë mund të tingëllojë arrogante pas saj fshihen edhe rezerva të lidhura me çështje ekonomike dhe të të drejtave të autorëve të filmave që do të prezantoheshin në Cannes.
Online nuk do të thotë falas
Maji është koha e festivaleve të filmit edhe në Gjermani. Gjysmën e parë të majit do të zhvilloheshin normalisht katër festivale të rëndësishëm ai në Oberhausen, në Shtutgart, në Visbaden dhe Mynih. Festivalet u anuluan për shkak të pandemisë, por ndryshe nga festivali në Cannes, organizatorët vendosën t’i ofrojnë disa nga filmat që kishin në program në internet. Disa festivale planifikohen të riorganizohen në vjeshtë me shpresën se deri atëherë do të jetë përsëri e mundur që filmat të shfaqen para spektatorëve.
Për shembull festivali i 20-të “GoEast” i Filmave nga Evropa Qendrore dhe Lindore, i cili qe parashikuar të zhvillohej nga 5 deri në 11 maj në Viesbaden, u anulua shtatë javë para fillimit. Por organizatorët vendosën për “një zgjidhje hibride “. Gjatë periudhës disa nga pikat kulmore të programit u ofruan në internet me pagesë, kurse disa filma të tjerë u shfaqën falas. Edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua online. Organizatorët parashikojnë t’i inkuadrojnë shfaqjet e filmave të festivalit “goEast” në festivalin “exground filmfest” që zhvillohet në nëntor.
Eksperimente në internet bënë edhe organizatorët e Festivalit të 27-të të Filmit Vizatimor në Stuttgart (5-10 maj). Drejtori i festivalit Ulrich Wegenast tha se reagimet e publikut ishin pozitive dhe se ata kishin shitur mjaft bileta për shfaqjen e filmave në internet. Kështu mbi 250 filmat vizatimorë, që përbëjnë thuajse të gjithë programin e festivalit u shfaqën në internet.
Edhe organizatorët e “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër Oberhausen” (13-18 maj) do t’i shfaqin filmat në internet. Bileta për të parë filmat në internet kushton 9.99 euro dhe me të mund të shikosh rreth 350 filma të shkurtër dhe të ndjekësh diskutimet. Të ardhurat do të shkojnë në favor të një fondacioni kulturor. Në mënyrë të ngjashme po veprojnë edhe organizatorët e festivalit “DOK.fest” në Munih.
Ekranet e kinemasë dhe spektatorët mbeten përbërës të rëndësishëm të festivaleve
Por festivalet online nuk do të jenë model për të ardhmen, theksojnë organizatorët e festivaleve.
“Ne jemi tejet të bindur që filmat kanë nevojë për ekranin e madh të kinemasë dhe për këtë arsye kemi vendosur qëllimisht që të mos e ofrojmë programin tonë plotësisht online. Qëllimi ynë i shpallur mbetet kinemaja si vendi i vetëm i vërtetë për filmin. Gjëja më e bukur e një festivali filmi janë “takimet midis audiencës, kineastëve dhe përfaqësuesve të industrisë së filmit”, thotë drejtori i festivalit të Oberhausenit Lars Henrik Gass.
Organizatorët e festivalit në Cannes po mendojnë nëse mund të bashkëpunojnë me Festivalin e Venecias që planifikohet të zhvillohet në fillim të shtatorit (2-12 shtator). Festivali i Venecias, është bashkë me atë të Cannes dhe Berlinalen një prej tre festivaleve më të mira në botë.
Një festival filmi online për të gjithë
Po ashtu organizatorët e festivaleve në Cannes dhe Venecia, ata të Berlinales, të Festivalit të Filmit në Toronto si dhe disa festival të tjerë ndërkombëtarë duan t’u ofrojnë në periudhën 29 maj deri 7 qershor filmëdashësve në të gjithë botën një festival online falas përmes YouTube. Nën moton “Ne jemi një: Një Festival Global Filmi” do të shfaqen filma artistikë, filma me metrazh të shkurtër, filma dokumentarë, muzikë dhe tryeza të rrumbullakëta virtuale. / DW / KultPlus.com