11 Shkurt, 2021 - 6:58 pm
Iniciativa “Marshojmë s’festojmë” do të vazhdoj edhe këtë vit aktivitetet për përçim të mesazhit në Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.
Nën moton e sivjetme “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”, do të kujtohen viktimat vajza dhe gra.
“Edhe ky 8 mars na gjen të revoltuara ndaj sistemeve shtypëse që kanë mundësuar përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit. Do të dalim nga shtëpitë, universitetet, shkollat, dhomat e gjumit, fabrikat, zyret, spitalet e do të qëndrojmë të bashkuara kundrejt patriarkatit që vret”, thuhet në njoftim.
Tutje, organizatorët theksojnë se edhe organizimi i këtij viti është një rezistencë në vete për patriarkatin, që sipas tyre, vazhdon t’ua marrë jetën grave në Kosovë.
Në anën tjetër, ata kanë bërë thirrje për t’u bashkuar në marshin e 8 Marsit duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, teksa është menduar edhe një formë tjetër e ‘protestimit’.
“Ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen nga shtëpitë, i ftojmë që në ballkonet e tyre të vendosin mbishkrime në çarçafë ku përshkruajnë luftën e tyre kundër shtypjes që ndodhë brenda dhe jashtë shtëpive”, bëjnë thirrje organizatorët.
“Marshojmë s’festojmë” tanimë është kthyer një revoltë për mbrojtje të të drejtave të grave, në ditën kur festohet dita e tyre. / KultPlus.com