26 Shtator, 2024 - 11:45 am
U çel mbrëmë në Tiranë, ekspozita vetjake e piktorit Bashkim Dervishi. Ekspozita me titull “Inkandeshente” është në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, FAB dhe do të qëndrojë aty deri më 5 tetor.
Kuratori i “Inkandeshentes”, Ardian Isufi shkruan se, Bashkim Dervishi i thur himn “Gruas”, magjisë së saj, brishtësisë dhe njëkohësisht forcës së saj pamore në situata të ndërmjetme, diku në përditshmëri dhe diku në kapërcyell të historisë së artit.
“Ai është Adami postmodern që e ndjek Evën në kopshtin e artit të tij, duke na servirur të zhveshura jo thjesht figurat femërore, por duke zhveshur historinë”, shkruan kuratori pro. asoc. dr Isufi.
Sipas tij, “Mona Lisa e Da Vincit” bëhet më e fortë dhe tunduese në “Nudon/Mona Lisa të Dervishit”, apo “Motra Tone e Idromenos” fiton fuqinë e brishtësisë femërore në nuditetin e fshehur në “Motrën Tone të Dervishit”.
Ambiguiteti i imazheve nga i njëjti imazh është një koncept dhe gjendje e qartë artistike i tij duke analizuar si ndikojnë në jetën tonë të përditshme imazhet e një kulture popullore (Pop Arti) që Andy Warhol e nënvizon: “Fillova të përsëris të njëjtin imazh sepse më pëlqen mënyra se si përsëritja ndryshon të njëjtin imazh”.
Vetë artisti Bashkim Dervishi është shprehur se, çdo penelatë e tij është si të pikturosh një dritë të brendshme, një inkandeshencë shpirtërore./atsh/KultPlus.com