Inspektohet banesa Mak Haxhistasa për hartimin e një projekti restaurimi

15 Prill, 2025 - 11:05 am

Specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) realizuan një inspektim në terren në qytetin e Beratit për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të banesës Mak Haxhistasa, Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Ky inspektim synoi vlerësimin e nevojave të ruajtjes së monumentit dhe grumbullimin e të dhënave të domosdoshme për hartimin e një projekti të plotë restaurimi.

Banesa Haxhistasa në kalanë e Beratit, është një shtëpi tipike me çardak në qendër, një nga shembujt më përfaqësues të kësaj tipologjie në qytetin e Beratit.

Çardaku është një galeri prej druri në pjesën e sipërme, që përbën një element me rol të rëndësishëm në fuksionimin e banesës. Banesa e familjes Haxhistasa përfaqëson një prej ndërtesave më të zhvilluara të tipit me çardak, e ndërtuar në gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 18-të. Ajo përbën një godinë tipike të arkitekturës vernakulare, e ndërtuar në kalanë e Beratit në një terren të pjerrët nga një familje e pasur feudale e kohës.

Në një kohë të mëvonë ajo është përdorur si residencë nga Ahmet Kurt Pasha një nga sundimtarët e qytetit gjatë periudhës së vonë të sundimit otoman. Banesa dëshmon njëkohësisht ndikimin e mënyrës së re të jetesës në arkitekturën tradicionale, të diktuar nga kushtet e reja ekonomiko-sociale të gjysmës së dytë të shek. XVIII në Shqipëri. Banesa Haxhistasa është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1961. E ndodhur brenda kalasë së Beratit (Qendër e trashëgimisë botërore në mbrojtjen e UNESCO-s) ajo mund të pasurojë ofertën turistike të sitit, duke u kthyer në një destinacion shumë tërheqës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme