Instalohet ‘kopshti urban’ në Prishtinë, Osmani: Do punojmë që zhvillimi ekonomik të realizohet në harmoni me mbrojtjen e mjedisit

19 Prill, 2021 - 8:24 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mbështetur instalimin e ‘kopshtit urban’ në Prishtinë, duke e konsideruar si një nga zgjidhjet inovative që kombinon natyrën me dinamikën e jetës, shkruan KultPlus.

Osmani tutje ka shtuar se ‘kopshti urban’ është një rikujtim për të gjithë ne se tashmë ekzistojnë mënyra të shumta për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore.

“Ky ‘kopsht urban’ është rikujtim për të gjithë ne që ka gjithmonë mënyra, tashmë gjithnjë e më inovative, për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore, ngritjes së vetëdijës rreth tyre, dhe përmirësimin e raportit tonë me natyrën”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në Facebook.

Oaza e gjelbër apo ‘kopsht urban’ instalua sot në sheshin e Prishtinës nga UNDP dhe UN Habitat në Kosovë në kuadër të aktiviteteve të organizuara me qëllim të shënimit të Ditës së Tokës.

Osmani ka theksuar se do të punojnë që mendësia e dizajnimit të këtyre kopshteve të përdoret edhe në një zhvillim ekonomik që është në harmoni me mbrojtjen e mjedisit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Në raste kur hapësirat e gjelbra nuk janë të mjaftueshme, kur ndotja e ajrit vazhdon të jetë problematikë e përditshme, e kur dinamika e jetës është e tillë që na mban shpesh larg natyrës e kontaktit të afërt me të, të ashtuquajturat ‘kopshte urbane’ janë zgjidhja inovative që i kombinon dhe i adreson të gjitha këto me një vend e që e sjell natyrën tek ne.

Një oazë e gjelbër u instalua sot në sheshin e Prishtinës nga UNDP dhe UN Habitat në Kosovë në kuadër të aktiviteteve të organizuara me qëllim të shënimit të Ditës së Tokës.

Ky ‘kopsht urban’ është rikujtim për të gjithë ne që ka gjithmonë mënyra, tashmë gjithnjë e më inovative, për të kontribuar në adresimin e problemeve mjedisore, ngritjes së vetëdijës rreth tyre, dhe përmirësimin e raportit tonë me natyrën.

Do të punojmë që mendësia që ka inspiruar dizajninin e ‘kopshteve urbane’ të na udhëheq drejt një politikbërje më me konsideratë ndaj mjedisit që na rrethon, dhe e cila mundëson që zhvillimi ekonomik të realizohet në harmoni me mbrojtjen e mjedisit./ KultPlus.com

Të ngjajshme