21 Shkurt, 2025 - 5:00 pm
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, njësi e përhershme e kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave, u shpreh sot se, 21 Shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, është me vlerë të shënuar edhe për gjuhën shqipe, përmes së cilës shprehet shpirti dhe kultura e popullit shqiptar, pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar.
Instituti citon akademikun e shquar Eqrem Çabej, i cili ka thënë se, “historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë”.
Në këtë ditë të gjuhës amtare, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë përkujtoi të gjithë ata që luftuan në shekuj për shqipen, e sidomos rilindësit e shquar që punuan e luftuan për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe e për ta shkruar atë me një alfabet të vetëm.
Instituti theksoi rolin e gjuhës amtare shqipe si mjet identifikimi dhe bashkimi, rol i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në rrugëtimin e shqiptarëve në shekullin XX.
Në postimin në rrjete sociale të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, vihet në dukje se, sot, shqipja gjendet përballë sfidave të shumta dhe të egra që rrjedhin nga proceset globalizuese botërore, ndaj, krahas përpunimit, zhvillimit e pasurimit të pandërprerë, mbrojtja e saj nga proceset asimiluese, duhet të jetë detyrë e përhershme e gjuhëtarëve./atsh/KultPlus.com