21 Janar, 2025 - 10:45 am
Avni Spahiu
Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Ibrahim Rugovës jo në shtatin apo staturën e tij prej politikani, të liderit në krye të një lëvizje paqësore për pavarësi, me përgjegjësi historike për kombin, sa në staturën e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm, që doli nga ky truall i vjetër me rrënjët e shkëputura të Kontinentit, duke sjellë ndër mend, si në kllapi, se rrënjët duhet përtëritur dhe se vendi i shqiptarëve, si një ndër popujt më to vjetër të Europës, duhet rikthyer aty ku përket. Mundësisht, me sa më pak trauma. Misteri ishte se kjo duhej të bëhej në një kohë nga më të rëndat që po përjetonim. Sa arriti ta bënte këtë vazhdon të jetë një çështje që do të diskutohet gjatë nga brezat, ndërkaq që emri i Ibrahim Rugovës do të qëndrojë gjatë në mbamendjen tonë kolektive.
Me këtë imazh, pra, të intelektualit të angazhuar, e shoh Ibrahim Rugovën para se “të vishte shallin e liderit politik”: një mendimtari të preokupuar thellë për të gjetur rrënjët e shkëputura të lidhjeve me kontinentin, që nga vitet tetëdhjeta në diskurset e shpeshta në Pallatin e Shtypit për letrat tona dhe europiane, për çdo fije lidhjeje që mund të ekzistonte apo të krijohej mes qytetërimit shqiptar dhe atij të përgjithshëm europian. Nuk e kisha krejtësisht të qartë atëherë, në vitet që po bëheshin gjithnjë më sfiduese për fatin e shqiptarëve, se ç’e shtynte këtë intelektual dhe kritik letrash shqipe, të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri, me bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, të këmbëngulte që të njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë europiane, siç ishte Xhojsi irlandez me kryeveprën e tij “Vigjilimi i Fineganit” dhe insistimi i tij që të bëja një përpjekje për të sjellë tek lexuesi shqiptar një “shije” të veprës së papërkthyeshme të Xhojsit nga anglishtja në gjuhën shqipe. Nuk e di se sa ia arrita ta bëja këtë në faqet e revistës “Fjala” në vitin 1985, por sido qoftë, edhe ai insert ishte pikërisht iniciativë e Dr. Rugovës.
(Një parantezë është e nevojshme për të “arsyetuar” këtë obsesion të tij me Xhojsin, për të cilin bisedonim shpesh në çaste kontemplimi gjatë vizitave të tij nëpër qendra europiane: se si “u insertuan” vallë nga Xhojsi fjalët e shqipes te Finegani, siç i nxjerr me besnikëri studiuesi britanik, Nathaniel HALPER, fjalët nga thesari i shqipes: Ftofty, od(a), karrig, darka, disheen (dyshi), voos (vozgë), Dalbania, got (gotë), raki, portogal, buk, sofer, safe, boll, sugar, motru, bir, bije, biribiyas, nip, mes (mbesë), mbase edhe të tjera dhe se ç’mister tjetër fshihet pas shprehjeve të përdorura gjithandej në libër. “Vigjilimi (Zgjimi, Dremitja, Kllapia) e Fineganit” i Xhejms Xhojsit njihet si një nga tekstet më të vështira në të gjithë letërsinë. Sidoqoftë, një raport i barabartë midis një lexuesi dekodues dhe autorit prezantues është diçka që për këtë vepër nuk ndodhë në asnjë kuptim tradicional. Për shkak të mënyrave në të cilat Xhojsi manipulon me gjuhën përmes asonancës dhe referencave shumëgjuhëshe, fjalët dalin pa përkufizimet e tyre leksikore në nivele të reja të panjohura kuptimore. Andaj, edhe fjalët e inkorporuara të shqipes jepen në një kontekst tërësisht misterioz të kuptimit dhe përdorimit të tyre. Duke përshkuar “Zgjimin e Fineganit”, del të paktën i befasishëm përdorimi i fjalëve të shqipes në një konotacion të njohur të frazës hamletiane: “Me ken ose no me ken Zot është Quiztunes…”, në vend të frazës së njohur anglisht, në një nivel të papritur për anglisht-folësit: “Me kene” është shqipe e vjetër, e përdorur në vend të “to be or not to be” kombinuar me anglishten “no” në vend të “jo” në shqip dhe Zot në vend të Sot dhe God, si dhe Quiztunes për “çështje” dhe “question” në anglisht, sipas studiuesit McHugh, një mister që duhet dekoduar përmes baritjesh më të gjera universale letrare.) …
Më falni për digresionin , por diskursi i ripërsëritur me Rugovën për “çelësin dekodues”, për mundësinë që Xhojsi, Ficxherald e autorë të tjerë europianë të kenë qenë në kontakt me shqiptarët, vazhdonte me pandehma se këto “rastësi” puqjesh me gjuhën dhe qytetërimin shqiptar, do të mund të kenë ndodhur në Triestë, Venedik, apo edhe në Paris, ku frekuentonin shqiptarë që tregtonin apo edhe që studionin në fillim të shekullit njëzet në kryeqendrat europiane të kulturës dhe artit…
Tek i pasionuari pas letrave shqipe dhe kulturës shqiptare, Rugova, ky ishte një mishërim kërkimor edhe në kontekstin e politikës aktuale. Ai nuk ndalej së kërkuari fije dëshmish të lidhjeve me Europën, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësi evidente. Letrat e para shqipe nisnin, mezi, nga shekulli XVI (1555), duke spostuar jetën kulturore shqiptare për disa shekuj më vonë për shkak të injorimit të autorëve shqiptarë të shekujve të mëparshëm që kishin krijuar në gjuhë të huaja, latine, italiane, etj., dhe duke e nisur kronologjinë e krijimtarisë kulturore së shqiptarëve vetëm nga koha e veprave të shkruara dhe të botuara në gjuhën shqipe. E tërë plejada e autorëve, humanistëve, rilindësve europianë me origjinë shqiptare, iluministëve shqiptarë, për disa shekuj, që u shkolluan dhe vepruan në qendra europiane të kohës, mbeti pjesë e qytetërimit europian, por jo edhe pjesë përbërëse e atij shqiptar. Këtë fakt e vinte në pah Rugova…
Gjatë Rilindjes Europiane, si një nga periudhat më të rëndësishme të artit, kulturës, shkencës dhe letërsisë botërore, u shquan shqiptarët Gjon Gazulli, Martin Segoni, i pasuar nga Beçikemi dhe Barleti, Nikollë Leonik Tomeo, i njohur në lëvizjen humaniste të Rilindjes si një nga filozofët dhe dijetarët më të shquar të shekullit XVI, Mikel Maruli, një ndër figurat më të njohura të Rilindjes Europiane, Marin Barleti, humanisti më i shquar shqiptar dhe ndër më të shquarit europianë e të tjerë. Përfshirja e tërë këtyre emrave në kuadër të letërsisë së hershme shqipe do të shtynte për disa shekuj shkrimin (ani se në latinisht dhe italisht), si pjesë të letrave shqipe. Kjo do të dëshmonte rrënjët tona të fuqishme me Kontinentin dhe qytetërimin europian dhe do të ishte dëshmi dhe bazë për ndërtim të raporteve me Europën. A është kjo akoma një detyrë e studiuesve tanë të letërsisë? Rugova thoshte se po…
Obsesioni i Rugovës me rrënjët europiane përthyhej në takimet e tij në metropolet europiane: mbi fatin e prapët të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit, në mungesë shumëshekullore të pranisë shqiptare, aty ku pritej fati historik i shqiptarëve. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli, Roma, … pa shqiptarët, të shkëputur nga pjesa së cilës i përkisnin. Pa njerëz, pa miq, pa mirëkuptim… Kishte aq shumë për të bërë, duhej zënë shekujt e pushtuar hapësirat. Duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësitë. Dhe, ne ishim vonë, shumë vonë dhe të pakët. Dhe, akoma në betejë për mbijetim. Megjithatë, Europa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat e tij dhe ta pranonte në gjirin e vet… Për më tepër, të mos lejonte rrezikimin e tij me zhbërje dhe zhdukje…
Andaj, me këtë imazh, që forcohej gjithnjë e më shumë në çdo udhëtim me Rugovën nëpër Europë e Amerikë, në çdo bisedë e kontakt me europianët Rugova vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin europian. Nën tymin e dendur të cigareve të Rugovës fshihej mjegullia e historisë që duhej davaritur që Europa të shihte qartësinë. Ai sfidonte me kontributin e shqiptarëve në Rilindjen europiane, me Papët me origjinë shqiptare, me lidhjet mesjetare të shtresës së lartë shqiptare me aristokracinë europiane, me personalitete të shquara që shkëlqyen në oborret mbretërore në Paris, Romë, Venedik e qendra të tjera të kulturës dhe artit. Shpesh kalonte edhe në antikitet. Ky ishte lajtmotivi i përhershëm i Rugovës në takimet e tij , jo vetëm me intelektualë, por edhe me politikanë në metropolet e Europës Perëndimore. Ky ishte fokusimi i tij konstant dhe në çdo situatë. Madje, edhe kur u gjend në Romë gjatë luftës, kur Kosova po digjej e gjakosej, Rugova i fliste Lamberto Dinit, Ministrit të Jashtëm Italian, për habinë e këtij të fundit, për luftën e Skënderbeut dhe raportet e tij me Venedikun, Napolin dhe Vatikanin…
Ky është ai imazhi që më bënte të mos e shihja Rugovën si “Gandi i Kosovës”, siç filluan ta quanin në Perëndim, si një imitues të hindusit Mahatma Gandi dhe të filozofisë së tij të rezistencës paqësore. Rugova ishte një figurë europiane, i ngjashëm me iluministët, por edhe me europianë të mendimit modern të llojit të Vaclav Havelit, i bindur në fuqinë e politikës dhe të mosdhunës. Ibrahim Rugova kishte imazhin e një intelektuali europian, më saktësisht të atij francez, prej të cilit ishte frymëzuar dhe formësuar. Madje ngjante edhe nga pamja: flokë të shprishur të gjatë, shall, syze të trasha, cigare dhe verë. Me pamje studiuesi dhe lexuesi të pasionuar. Por me një detyrë të rëndë, atë të çlirimit të vendit, që megjithatë në Ballkan, nuk do të vinte dot pa gjak. Të huajt, shpesh do ta shikonin si një studiues mendjemprehtë, të cilit i ishte dhënë një mandat popullor, tepër i rëndë për ta sendërtuar për një njeri paqësor, me shtat të brishtë, që nuk përkonte me liderin tradicional, sidomos në Ballkan, por që kishte vizion për lirinë dhe të ardhmen e popullit të tij dhe kishte trasuar rrugën duke vlerësuar dhe duke u mbështetur në botën demokratike. Njeriu që përsëriste deri në bezdi nëpër kancelaritë europiane dhe amerikane: Liri dhe Pavarësi për popullin e Kosovës, si alternativë e vetme e të ardhmes së tij politike. …
Një bashkëbisedues i tij në Londër, theksonte: “Isha i lumtur ta takoja dhe të krijoja përshtypjen si për një njeri tepër të mençur. Por, ndonëse disa politikanë janë të aftë që ta bëjnë një takim të shkurtër të duket si një miqësi e përjetshme, te Rugova ishte e vështirë të dallohej një personalitet prapa shtresave të tymit të cigares, gotave të trasha dhe përkthyesit.” Andaj, mbetej enigma e shumëfishtë. Pacifizmi i Rugovës ishte mbase misteri i tij më i madh për të huajt. Strategjia e tij e ngjashme me Gandin sfidonte ciklin e zakonshëm ballkanik të hakmarrjes, siç e perceptonin të tjerët. Në vend që të ftonte për armë, Rugova po ndiqte diplomacinë dhe paqen. Studiuesi që ndoqi mësimet në Sorbonë te filozofi shkrimtar Roland Barthes, autori i shumë librave për kritikën letrare shqiptare dhe së fundmi me një doktoratë nderi nga Universiteti i Parisit, u fut pashmangshëm në politikë, me krijimin e një partie politike (LDK-së) që u bë fokus i lëvizjes së përgjithshme popullore për çlirim. Rugova u vu në krye të përpjekjeve për krijimin e një shteti paralel, në kushtet e okupimit, me një infrastrukturë të bazuar në organizimin e komunitetit, me arsim, qeveri, shëndetësi dhe institucione paralele. Ndonëse dhuna serbe vazhdonte e pandërprerë dhe Kosova po përjetonte trusninë me të madhe në historinë e saj për t’u futur në luftë, enigmatike ishte përcaktimi për zgjidhjen paqësore të Rugovës dhe deklaratat e tij konstante se e ardhmja u takon të gjithëve në një Kosovë të pavarur dhe neutrale, një pretencë që dukej jashtë reales, në konstelacionin e tërbimit hegjemonist sllav në hapësirat ballkanike.
Por, mbase kishte të drejtë. Gjithandej në atë krijesë që quhej Jugosllavi, historia dukej se ishte kthyer në një përplasje të dhunshme mesjetare të konteksteve identitare, të konflikteve etnike, religjioze dhe civilizuese të nxitur nga Beogradi. Në këtë gjendje, Rugova u fut natyrshëm por fuqishëm në kursin e vet politik si një vizionar që ndjek projeksione të politikës globale, duke pritur që të vinte çasti i Kosovës dhe duke u përpjekur të shpëtonte popullin e vet nga masakrimi. Rugova kërkonte nga bashkësia ndërkombëtare të ndërhynte dhe të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Madje, në kulmin e shtypjes së regjimit serb në Kosovë ai predikonte se NATO-ja (pra Perëndimi) do të na mbronte – siç edhe ndodhi në 1999, pas fushatës së NATO-s, që rezultoi me tërheqjen e Serbisë nga Kosova.
Rugova u pranua nga Uashingtoni si lider i pakontestueshëm, ndërkohë që Europa demokratike ia hapi dyert pa hezitim. Për dy vjet të vetme Rugova takoi më shumë liderë botërorë nga ç’takuan politikanët e tjerrë në këto dy dekada të fundit. Ai kërkonte zgjidhje me rrugë paqësore. Megjithatë në Ballkan, një paqe moderne e sofistikuar qëndronte tepër larg dhe pritjet për të jorealiste. Kosovarët nuk ishin hindus, por edhe armiku i tyre nuk ishin anglezët që kolonizuan Gadishullin indian por që u larguan kokulur në një çast duke njohur realitetin. U ndanë si miq. Po, Serbia nuk ishte e tillë – e shohim se edhe pas njëzet vjetësh, kur Kosova është e pavarur, vazhdon të kërcënojë, në vend se të shoh të vërtetën në sy dhe për më tepër të përulet në kërkim falje…
Lufta kishte shpërthyer në pjesë të tjera të Jugosllavisë me krime gjenocidale të ushtrisë e policisë serbe në Bosnjë, Kroaci e gjetiu. Ndërkohë, gjendja në Kosovë ishte gjithnjë e më e rëndë dhe filozofia paqësore e Rugovës gjithnjë e më e kritikuar. Deklarata e Presidentit Klinton, që u përcoll nga Këshilltari i sigurisë Kombëtare Anthony Lake tek Rugova, mu në Shtëpinë e Bardhë që fliste për Rugovën si “drita e vetme në tunelin ballkanik” nuk kishte më kuptim. Ishte e qartë se Rugova ishte një intelektual dhe mbi të gjitha humanist, që s’bënte dot luftë. Megjithatë, ai po kritikohej në Kosovë, ku lufta qe e pashmangshme dhe liria e Kosovës do të vinte nga një lëvizje e armatosur çlirimtare e popullit të Kosovës që doli si alternativë e re e kundërvënies së regjimit më gjakatar në Europë…
Ndonëse, Rugova mbeti një humanist dhe ideator i një projekti madhor të nacionalizmit shqiptar për një shtet të pavarur të Kosovës të ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe të politikës së paqes me fqinjët e saj. S’do mend se Republika e Kosovës i detyrohet vizionit themelor të Rugovës, i ngritur mbi shtyllat kryesore të pavarësimit, demokracisë liberale dhe sekularizmit, me një kurs orientues pro-perëndimor. Rugova qëndron i pamohueshëm për këto merita.
Rugova ishte njeriu i letrave shqipe dhe i humanizmit filozofik, që u vu në krye të popullit të tij në orët e liga të tij, por edhe të kthesave historike, që po ndodhnin në Europë, kur diktaturat po shembeshin dhe popujt e shtypur po shihnin shpresën për liri dhe demokraci në horizont. Ai do të mbahet në mend si njeri që zgjoi popullin e Kosovës dhe trasoi shtegun e lirisë në çastin e duhur. Si çdo personalitet q[ vihet në shërbim të politikës, edhe ai ishte i kritikuar dhe i sulmuar, aq sa dhe i lavdëruar. Patjetër! Madje, mbase edhe me të drejtë. Por miti i tij vazhdon të jetojë tek shqiptarët e Kosovës. Një intelektual në krye të shtetit – ishte një rastësi, apo produkt i pashmangshëm i kohës? Sido qoftë, kjo ndodhi për herë të parë tek shqiptarët. Vështirë se do të ndodhë edhe një herë në të ardhmen. Disa do ta konsiderojnë këtë fakt për keqardhje duke marrë përvojën nga një klasë politike të dy dekadave të fundit, ku mungon fryma e mirëfilltë intelektuale dhe vizionare e liderit politik intelektual dhe të edukuar…/KultPlus.com