Inteligjenca artificiale, konsumi i lartë i energjisë dhe ndikimi tek mjedisi

13 Shkurt, 2025 - 9:00 pm

Ndërsa fuqitë botërore përpiqen të marrin rolin udhëheqës në teknologjinë e inteligjencës artificiale, ekspertët nxjerrin në pah koston që kjo teknologji shkakton ndaj mjedisit.

Një raport i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë thotë se përhapja e inteligjencës artificiale mund të nxisë në të ardhmen një konkurrencë për burime ujore dhe energjetike. Ndërsa shtohen kërkesat për energji, shtrohet pyetja nëse kjo teknologji mund të bëhet më miqësore me mjedisin?

Inteligjenca artificiale është në ballë të shumë prej novacioneve të reja në botë. Një nga ndryshimet më madhore në shoqëri që nga revolucioni industrial.

Pothuajse çdo veprim në pajisjet me AI është i lidhur me qendrat e të dhënave. Me ndërtesa të mëdha dhe super kompjutera, kjo qendër në Londër konsumon sasi masive energjie. Shtrohet pyetja nëse zgjerimi i teknologjisë së rinovueshme mund t’i përballojë kërkesat energjetike të inteligjencës artificiale?

Po ashtu kërkohet një sasi e madhe uji për ftohjen e qendrave të të dhënave.

“Pothuajse çdo veprim në telefona apo kompjutera është i lidhur me qendrat e të dhënave. Kemi patur probleme në përmbushjen e këtyre kërkesave. E ardhmja duket më e vështirë me shtimin e kërkesave si rezultat i përhapjes së inteligjencës artificiale”, thotë Spencer Lamb i cili drejton operacionet në qendrën “KAO Data”.

Një raport i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë sugjeron që qeveria britanike t’u kërkojë kompanive teknologjike raporte zyrtare mbi përdorimin e energjisë dhe ujit.

Raporti thotë se përhapja e inteligjencës artificiale po shkakton rreziqe të mëdha mjedisore që mund të çojnë në konkurrencë për ujin dhe energjinë në të ardhmen.

Pavarësisht vlerave që ofron AI, biologët shprehin shqetësimin për dëmet që mund të shkaktojë infrastruktura e inteligjencës artificiale. Kjo teknologji po i ndihmon biologët që të analizojnë fotot e planktonit.

Saskia Khl është biologe në Laboratorin Detar të Plymouth-it.

“Nuk mund të mbrojmë atë që nuk e kuptojmë. Për të kuptuar më mirë planktonin, (inteligjenca artificiale) do të na ndihmojë në matjet dhe mbledhjen e të dhënave me një cilësi shumë të lartë”.

Puna njëditore e një individi për vëzhgimin dhe matjet mund të realizohet nga inteligjenca artificiale brenda disa sekondash. Hulumtuesit thonë se përfitimet nga përdorimi i inteligjencës artificiale e justifikojnë përdorimin e më shumë se gjysmës së energjisë elektrike të laboratorit.

Gopal Ramchurn, profesor i inteligjencës artificiale në Universitetin e Southampton-it, thotë se vëzhgimi i detajuar i konsumit të energjisë dhe ujit është i nevojshëm për të menaxhuar rreziqet mjedisore.

“Në rastin më të keq, nëse nuk menaxhohet përdorimi i burimeve natyrore nga këto qendra, do të duhet të zgjedhim se kush do të ketë përparësi në furnizimin me energji elektrike në Britani, qendrat e të dhënave apo banorët”.

Në takimin e nivelit të lartë për inteligjencën artificiale në Paris, ekspertët u thanë udhëheqësve botërorë se energjia e rinovueshme do ta ketë të vështirë të përmbushë nevojat që kërkon infrastruktura e kësaj teknologjie.

“E dimë që AI mund të ndihmojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, por gjithashtu e dimë se trajektorja e saj është e paqëndrueshme”, tha për të pranishmit Anne Bouverot, e dërguara speciale për Francën dhe hulumtuese në fushën e inteligjencës artificiale.

Udhëheqësit botërorë dhe kompanitë e teknologjisë po diskutojnë në takimin e nivelit të lartë në Paris mbi përparimet e inteligjencës artificiale në sektorë si shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe fusha të tjera. /VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme